Lajme
Kurti lë të kuptohet se me Ligjin e Pagave nuk do u rriten pagat mësimdhënësve as 100€
Demokracia
13:45 | 03 Shtator 2022

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka lënë të kuptohet se mësimdhënësve nuk do t’iu rriten pagat as 100 €.

Kërkesa e SBAShK-ut që Qeveria të ndajë nga 100 euro për të gjithë punëtorët e arsimit deri në miratimin e Ligjit për Pagat, për kryeministrin Kurti është absurde dhe ka një prapavijë apo qëllim tjetër, që të krijojë përshtypjen se me Ligjin e Pagave “do të kemi më shumë se kaq”, raporton Demokracia.com.

“Ne 50 euro nuk i japim derisa të vjen Ligji i Pagave. Nuk ka të bëjë me Ligjin e Pagave, por për t’u përballur me inflacionin. Sepse, kërkesa absurde për 100 euro, që praktikisht është 20% rritje e pagave në arsim deri tek projektligji për pagat, në fakt është bërë që të krijohet përshtypja që kur të vjen projektligji do të kemi edhe më shumë se kaq. Mirëpo, në një Kosovë, kur testet e PISA-s po na nxjerrin ¾ e fëmijëve analfabetë funksionalë, ta shantazhosh Qeverinë, kërcënosh Qeverinë me rrënim të shtetit, është papërgjegjësi absolute. Ne nuk shantazhohemi”, tha Kurti të shtunën.

Kjo deklaratë e kryeministrit Kurti është e para e këtij lloji për çështjen mjaft të debatueshme prej kohësh, ligjin për pagat në sektorin publik, i cili është ndër ligjet kryesore, pasi do të përfshijë një pjesë të madhe të qytetarëve të Kosovës. Demokracia.com ka raportuar ekskluzivisht për projektligjin për pagat, i cili është proceduar për konsultim.

Megjithëkëtë, në këtë projektligj, Qeveria Kurti nuk ka treguar vlerën monetare të koeficientëve.

Me publikimin e vlerës monetare të koeficietit do të dihej nëse janë përmbushur kërkesat e sindikatave të ndryshme, të cilat kanë shprehur pakënaqësi me projektligjet e kaluara, pikërisht për shkak të pozicionimit jo të kënaqshëm të kategorive të ndryshme, veçanërisht të mantelbardhëve dhe punonjësve të arsimit. /Demokracia.com/

 

Pse Qeveria Kurti nuk po e tregon vlerën monetare të koeficientëve në Ligjin e Pagave?

Të ngjashme