Lajme
Pse Qeveria Kurti nuk po e tregon vlerën monetare të koeficientëve në Ligjin e Pagave?
Demokracia
11:28 | 20 Gusht 2022

Share:

Qeveria e Kosovës po vazhdon të mos tregojë sa mendohet të jetë vlera momentare e një koeficienti, me të cilin do të mund të llogaritej paga e një qytetari që paguhet nga buxheti i Kosovës.

Në njërën anë, zyrtarët e Qeverisë theksojnë se Ligji i ri për Pagat, i cili është proceduar në Qeveri gjatë kësaj jave që po e lëmë pas, do të trajtojë dinjitetshëm të gjithë të punësuarit në sektorin publik, por në anën tjetër po e mbajnë të fshehtë pikërisht vlerën monetare të një koeficienti, nëpërmjet të cilit do të dihej nëse projektligji i trajton vërtet dinjitetshëm, shkruan Demokracia.com.

Me publikimin e vlerës monetare të koeficietit do të dihej nëse janë përmbushur kërkesat e sindikatave të ndryshme, të cilat kanë shprehur pakënaqësi me projektligjet e kaluara, pikërisht për shkak të pozicionimit jo të kënaqshëm të kategorive të ndryshme, veçanërisht të mantelbardhëve dhe punonjësve të arsimit.

Në nenin 9 të projektligjit të ri për pagat në sektorin publik, i cili është proceduar për konsultime, theksohet se “vlera monetare e koeficientit përcaktohet me ligjin vjetor të buxhetit”.

 

Raportimet në medie para disa muajve për vlerën monetare të koeficientit, në shumën 120, është mohuar nga zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, duke i qujtur raportimet e medieve si tendencioze dhe të pavërteta. Sipas zyrtarëve qeveritarë, kjo vlerë do të përcaktohet me ligjin për buxhetin e Kosovës.

Mosbërja publike se mbi bazën e çfarë vlere monetare janë llogaritur koeficientët e të punësuarëve në sektorin publik krijon konfuzion, sepse nëse Ligji për Pagat do të miratohej para Ligjit për Buxhetin, i cili miratohet për çdo vit, atëherë askush nuk do ta dinte sa do të jetë paga e tij në vitin pasues, sepse do të duhej të pritej miratimi i Ligjit për Buxhetin.

Më 18 gusht 2022, Demokracia.com ka publikuar ekskluzivisht projektligjin për pagat në sektorin publik dhe të gjitha shtojcat për të gjithë sektorët që paguhen nga buxheti i shtetit të Kosovës.

LEXO EDHE:

EKSKLUZIVE| Osmanit e Kurtit u rritet paga bazë në mbi 2 mijë euro me projektligjin e ri, këto janë pagat e reja për administratën publike

Një ditë më herët, më 17 gusht, ministri i punëve të brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar për procedimin në Qeveri të projektligjit për pagat dhe projektligjit për zyrtarët publik, të cilët pasi që të miratohen në Qeveri do t’i dërgohen edhe Kuvendit të Kosovës.

Edhe projektligji tjetër, ai për zyrtarët publik është publikuar ekskluzivisht në Demokracia.com.

LEXO EDHE:

EKSKLUZIVE| Dokument: Qeveria Kurti i kap me ligj edhe zyrtarët publikë, i bën të shantazhueshëm nga çdo qeveri

Të ngjashme
Lajme • 04 Maj 2024