Kosova ka importuar rreth 50 milionë euro më shumë energji elektrike, që prej kur kishte rënë nga sistemi i prodhimit njësia B2 e termocentralit “Kosova B”. Demokracia.com pak ditë më parë përmes një përllogaritje të thjeshtë raportoi se miliona euro po shpenzohen në importimin e energjisë, ndërsa sot këtë e konfirmoi edhe vetë kryeministri Albin kurti.
Për më shumë se një muaj njësia B2 e termocentralit “Kosova B” ka qenë jashtë sistemit. Për rregullimin e kësaj, Qeveria e Kosovës e pagoi me mijëra euro ekspertin që erdhi nga Gjermania.
Publikisht, nuk u tregua asnjëherë se sa është importuar energji elektrike, por Demokracia.com pak ditë më parë raportoi se për rrymën e importuar për shkak që nuk dinin s’i ta rregullonin turbinën, shteti pagoi rreth 50 milionë euro.
E këtë e konfirmoi sot edhe kryeministri Kurti. Ai pas rikthimit në sistem të kësaj njësie, ka thënë se Kosova për çdo orë tani do t’i paguajë rreth 50 mijë euro import më pak.
“Me fjalë tjera, për çdo orë do t’i paguajmë rreth 50 mijë euro import më pak, e deri nesër në mëngjes rreth 1,2 milion euro më pak se gjatë ditëve të javës që po lëmë pas. Ky është lajm shumë i mirë për të gjithë neve. Eh sikur ta kishim tash TC ‘Kosova A’ të rindërtuar nga Bilfingeri gjerman dhe blloqet B3 dhe B4 me nga 300 MË fuqi secila!”, ka thënë Kurti, përcjell Demokracia.com.
Pas rikthimit të bllokut B2, Kurti: Po paguajmë çdo orë 50 mijë euro import më pak
Ndërkaq, nga Korporata Energjetike e Kosovës kanë njoftuar se pas përfundimit të punimeve sipas dinamikës së paraparë dhe pas testimeve të njëpasnjëshme që zakonisht realizohen pas një remonti të tillë, njësia prodhuese B2 në termocentralin Kosova B, mbrëmë rreth orës 23:55 është sinkronizuar me rrjetin energjetik.
Aktualisht, njësia B2 është duke prodhuar me kapacitet të plotë dhe gjendja e saj është stabile.
Kosova është duke u përballur me një krizë energjetike që nga muaji dhjetor, për çka tani ZRrE-ja ka paralajmëruar edhe shtrenjtim të çmimit të energjisë, e cila është pranuar edhe nga Qeveria e Kosovës./Demokracia.com/