Lajme
Kurti ia huq përmbajtjes dhe pozitës, Chollet është këshilltar i sekretarit Blinken dhe jo nënsekretar
Demokracia
15:17 | 19 Nëntor 2022

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbrëmjen e së premtes ka zhvilluar një bisedë telefonike me Derek Chollet, këshilltar i sekretarit amerikan, Antony Blinken.

Pas bisedës, Kurti njoftoi nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Twitter”, për bisedën që kishte me Chollet. Mirëpo, kryeministri e huqi pozitën e amerikanit, duke iu referuar atij si nënsekretar, përcjell Demokracia.com.

Po ashtu, as përmbajtjen e bisedës nuk e tregoi me korrektësi.

“Bisedë e sinqertë dhe e rëndësishme telefonike me nënsekretarin e shtetit Derek Chollet për domosdoshmërinë e një marrëveshjeje të plotë të normalizimit me Serbinë me qendër njohjen reciproke, me fokus situatën e sigurisë në Kosovë së bashku me sundimin e ligjit”, kishte shkruar Kurti në postimin e tij në “Twitter”, të premten.

I pari i ekzekutivit nuk kishte treguar se për çfarë saktësisht kishte biseduar me këshilltarin amerikan. Tema e bisedës së tyre do të kuptohej vetëm pas postimin të Chollet.

“Kam biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për shmangien e përshkallëzimit të mëtejshëm: shtyrja e gjobave të targave, mbajtja e derës së hapur për kthimin e serbëve të Kosovës në institucione dhe fokusimi në dialogun për normalizim me Serbinë = rruga më e mirë për avancimin e integrimit evropian dhe euroatlantik të Kosovës”, ka shkruar ai në një postim në rrjetin social “Twitter”, në orët e para të së shtunës.

Madje, Kurti në postimin e tij nuk e kishte etiketuar fare profilin e Chollet.

Ndryshe, kjo nuk është hera e parë që Kurti nuk tregon për temat e bisedave me përfaqësues të ndryshëm politikë. Një gjë e tillë kishte ndodhur në fund të muajit tetor, me po të njëjtin këshilltar./Demokracia.com/

LEXO EDHE:

Nga Uashingtoni iu kërkua ta shtyjë afatin për targat, por Kurti e mbajti fshehtë

Të ngjashme