Lajme
Nga Uashingtoni iu kërkua ta shtyjë afatin për targat, por Kurti e mbajti fshehtë
Demokracia
23:16 | 27 Tetor 2022

Share:

Në njoftimin e fundit të publikuar në Twitter, kryeministri i Kosovës Albin Kurti nuk tregoi për thelbin e diskutimit që e kishte zhvilluar me Këshilltarin Special Amerikan, Derek Chollet që lidhej me kërkesën e tij për shtyrjen e vendimit për targat që nis nga 1 nëntori.

Në vend të kësaj, Kurti ka shkruar se gjatë bisedës telefonike e ka falënderuar zyrtarin amerikan Chollet për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për integrimet euroatlantike të Kososvës.

“Sot fola me Këshilltarin Special Amerikan, Derek Chollet dhe e falënderova për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën për integrimin euroatlantik. Siç tregohet në @TheWJP Raporti i vitit 2022, Kosova duke u renditur si e para në WB6 dhe i dyti më i përmirësuar në nivel global, ne përsëri dëshmojmë se sundimi i ligjit shkon krah për krah me paqen, sigurinë dhe demokracinë”, ka shkruar Kurti.

Mirëpo, pak orë më vonë, Chollet ka njoftuar se diskutimi ka qenë për rëndësinë e shtyrjes së zbatimit të vendimit për t’i evituar tensionet.

“Fola sot me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për ta diskutuar rëndësinë e shmangies së tensioneve dhe shtyrjes së zbatimit të vendimit për targat e reja, pa konfiskime apo gjoba. Gjithashtu, diskutuam edhe partneritetin dhe objektivat e përbashkëta për ta avancuar integrimin evropian dhe euro-atlantik të Kosovës”, ka njoftuar Chollet.

Pak minuta më pas, thirrjes së Chollet, i është bashkuar edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, i cili ka shpërndarë njoftim dhe ka thënë se është e rëndësishme të shmanget tensionet dhe të shtyhet vendimi për targat.

Hovenier, gjithashtu, ka dënuar aktet hakmarrëse ndaj serbëve që tashmë kanë bërë konvertimin e targave.

“E rëndësishme që të shmangen tensonet dhe të shtyhet vendimi për zbatimin e targave. Po ashtu, ne dënojmë veprimet intimiduese apo hakmarrëse ndaj tyre që kanë konvertuar targat e tyre”, ka shkruar ambasadori Hovenier.

Të ngjashme