Më 14 shtator, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të rikthehen në tryezën e dialogut të ndërmjetësuar dhe lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Ky dialog, që ka marrë rrugë me Marrëveshjen e Ohrit (18 mars 2023), nuk e përmban njohjen reciproke të dy shteteve, por ka dakordimin e kryeministrit Kurti për themelimin e Zajednicës apo Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Neni 10, si dhe vetëmenaxhimin për serbët në Kosovë, Neni 7.
Që takimi i mesit të shtatorit do të ndodhë me qëllim të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe Aneksit të saj është konfirmuar zyrtarisht nga kabineti i Kurtit, shkruan Demokracia.com.
“Takimet janë për zbatimin e marrëveshjeve. Gjithçka tjetër s’i kontribuon normalizimit të raporteve. Shkojmë në Bruksel për të zbatuar Marrëveshjen që e kemi dakorduar dhe besojmë se duhet të nënshkruhet. Është mirë të nënshkruhet, ne jemi pajtuar të nënshkruajmë për të. Por, çdo takim i nivelit të lartë është për zbatimin e marrëveshjes që tashmë është në pjesën e sekuencimit, të hapave që duhet të ndërmerren nga palët për të zbatuar secilin nen të marrëveshjes”, ka deklaruar këshilltari i Kurtit, Jeton Zulfaj, të premten e 1 shtatorit.
Por, çfarë thuhet saktësisht në këto dy nene që kanë ngjallur kritika të mëdha në debatin politik në Kosovë, menjëherë pasi Kurti arriti dakordimin në Ohër të Maqedonisë së Veriut dhe shprehjes publike të gatishmërisë së tij për ta nënshkruar përmbajtjen e Marrëveshjes së Ohrit?
Përmbajtja e Nenit 7 të kësaj marrëveshjeje ka ngjallur frikë në Kosovë se kjo mund të çojë në autonomi për serbët në Kosovë. Ndryshe nga zërat kritikë, kryeministri Kurti e ka mbrojtur këtë nen, duke thënë se nuk bëhet fjalë për vetëqeverisje.
“Të dyja palët përkushtohen për arritjen e aranzhimeve specifike, në përputhje me instrumentet relevante të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë për provizione të shërbimeve në disa fusha specifike, përfshirë edhe mundësinë e asistencës financiare nga Serbia dhe kanale të komunikimit direkt të komunitetit serb me Qeverinë e Kosovës. Palët do të formalizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe të ofrojnë nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane”, thuhet në nenin 7.
Me Marrëveshjen e Ohrit, kryeministri Kurti që erdhi në pushtet me kundërshtimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, të cilit i referohej në serbisht, “Zajednicë”, e ka pranuar themelimin e saj.
Në Nenin 10, Kurti është zotuar se do ta bëjë këtë, shkruan Demokracia.com.
“Neni 10 – Të dyja palët konfirmojnë detyrimin e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e kaluara të Dialogut, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese”, thuhet në përmbajtjen e këtij neni.
Ky nen rrëzon opozitarimin disavjeçar të Kurtit dhe Vetëvendosjes. Sipas tij, Zajednica është e rrezikshme për shtetësinë e Kosovës. Me Zajednicë, sipas Kurtit dikur, Rusia vjen te Ura e Ibrit në Mitrovicë dhe presidenti i saj do ta ketë numrin e telefonit të Putinit dhe Medvedevit.
Lexo më gjerësisht: https://demokracia.com/kurti-2016-me-zajednice-rusia-vjen-te-ura-e-ibrit-presidenti-i-saj-do-ta-kete-numrin-e-telefonit-te-putinit-medvedevit-video/
Më i zëshmi kundër Marrëveshjës së Ohrit, si zë jopolitik, është treguar ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, i cili është edhe professor i marrëdhënieve dhe të drejtës ndërkombëtare në UP.
Hasani ka tronditur opinionin në Kosovë vetëm tri ditë pas arritjes së marrëveshjes në Ohër. Sipas tij, me Marrëveshjen e Ohrit, Kurti e ka lënë të hapur mundësinë që statusi i Kosovës të rinegociohet në të ardhmen me Serbinë, shkruan Demokracia.com.
“E para: e ka lënë çështjen e statusit potencialisht në bisedë në të ardhmen mu rihap e mu diskutu me shtetin serb. E dyta i ka dhënë vulë në nivel të BE-së se ka marrë detyrim për t’i legalizuar këtë edhe të gjitha marrëveshjet e tjera që nuk janë zbatuar ose janë zbatuar gabim. E treta bëhet fjalë për autonomi territoriale”, tha Hasani.
Profesor Hasani ka shkuar edhe më larg, pasi në korrik të vitit 2023, ai publikoi një editorial, në të cilin tregon që sheh një ngjashmëri të Marrëveshjes së Ohrit me idetë e akademikut famëkeq serb, Dobrica Çosiq.
Lexo më gjerësisht:
Sidoqoftë, Marrëveshja e Ohrit e arritur më 18 mars 2023 nuk e ka askund në përmbajtjen e saj mundësinë e njohjes reciproke ndërmjet shtetit të Kosovës dhe të Serbisë. Në 11 nenet e saj, askund nuk përmendet një mundësi e tillë.
Që dialogu të përfundojë me njohje reciproke ka qenë kërkesë e vazhdueshme e institucioneve të Kosovës, por edhe e partnerëve ndërkombëtarë të shtetit të Kosovës. Megjithkëtë, kryeministri Kurti është dakorduar që Marrëveshja e Ohrit të mos përmbajë asgjë nga këto. /Demokracia.com/