Lajme
Kurti i pret në zyrë ambasadorët e Quint-it, një muaj pas deklaratës goditëse
Demokracia
14:51 | 25 Prill 2022

Share:

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ambasadori i Gjermanisë, Jörn Rohde, i ngarkuari me punë në ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar, Jacob Webber, ambasadorja e Francës, Marie-Christine Butel, ambasadori i Italisë, Antonello De Riu, u takuan sot me kryeministrin Albin Kurti, një muaj pasi e kishin goditur shefin e ekzekutivit kosovar me një deklaratë të përbashkët.

Siç thuhet në njoftimin e kryeministrisë, në takim u diskutua për zhvillimet politike në vend dhe situatën politike në rajon.

“Dy muaj pas fillimit të invazionit dhe agresionit të paprovokuar ushtarak rus ndaj Ukrainës, nevoja për bashkërendim të qëndrimeve dhe të veprimeve të botës demokratike kundrejt Federatës Ruse mbetet e domosdoshme. Reagimi dhe rreshtimi i Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe Britaninë e Madhe ka qenë i menjëhershëm. Përveç sanksioneve të vendosura ndaj Federatës Ruse, në linjë me ato të BE-së dhe ShBA-ve, Kosova po ashtu është solidarizuar me popullin ukrainas duke shprehur gatishmërinë e saj që të mirëpres deri në 5000 refugjatë nga Ukraina teksa gazetarja e parë ukrainase nga 20 sosh që do t’i pranojë Kosova tashmë ka arritur në Prishtinë”, thuhet në njoftim..

Gjatë takimit, u fol edhe për procesin e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, për çka Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar që të jetë parimor dhe i balancuar për marrëveshje me njohjen reciproke në qendër. ​

Ndryshe, Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Italia, Gjermania dhe Franca ishin shprehur shumë të zhgënjyera me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë më 3 prill. Këtë qëndrim shtetet e Quint-it e kishin bërë të ditur përmes një deklarate të përbashkët një muaj më parë.

Të ngjashme