Lajme
Kurti i përvjelë mëngët për themelimin e Zajednicës pas pushimeve, në shtator i kthehet dialogut me Serbinë
Demokracia
21:34 | 31 Gusht 2023

Share:

Pushimet verore veçse kanë përfunduar. Por, edhe shtatori pritet të jetë “i nxehtë” në politikë.

Kosova do të rinisë dialogun me Serbinë, shkruan Demokracia.com.

Albin Kurti po i përvjelë mëngët për ta themeluar Asociacionin e Komunave me shumicë serbe apo Zajednicën, siç e quante vetë dikur.

Siç e ka konfirmuar përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, më 14 shtator do t’i ftojë në takim të nivelit të lartë në dialog kryeministrin kosovar Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Në një konferencë për media në Spanjë, Borrelli ka njoftuar se bashkë me Presidencën Spanjolle të BE-së synojnë një takim të ministrave të shteteve anëtare të BE-së me ministrat e jashtëm të Ballkanit Perëndimor për ta analizuar situatën në rajon. Ai ka thënë se ky takim do të mbahet në fund të shtatorit.

“Më 14 shtator do të mbaj takim të ri të nivelit të lartë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, si lehtësues, për të kërkuar zgjidhje”, ka thënë ai pas njoftimit për propozimin spanjoll për takim me ministrat e Ballkanit.

Borrell ka thënë se procesi i zgjerimit është diskutuar me ministrat e jashtëm të BE-së dhe ka shtuar se ky proces ka marrë kahe të re pas luftës në Ukrainë, megjithatë ka shtuar se procesi do të zbatohet “në bazë të meritave”.

Takimi i fundit Kurti-Vuçiq ishte në fillim të majit.

Nga ajo kohë, veriu i Kosovës është përballur për një kohë me tensione, pasi serbët lokalë nisën protesta të dhunshme, duke kundërshtuar hyrjen në objektet komunale të kryetarëve të rinj të komunave. Kryetarët, për herë të parë janë të partive shqiptare. Zgjedhjet qenë bojkotuar nga serbët.

Para pak ditësh edhe ndërmjetësi në dialog, Miroslav Lajçak, tha se me përkushtim për të implementuar marrëveshjet e shkurtit dhe marsit, Kosova dhe Serbia mund të bëjnë përparime të mëdha.

“Po, pajtohem plotësisht. E dimë se çfarë duhet të bëhet. Kemi marrëveshjen e shkurtit dhe të marsit si dhe mund të implementohen sapo të ketë vullnet e përkushtim politik brenda disa muajsh”, deklaroi ai.

Ndryshe, pajtueshmëria e arritur mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, më 18 mars në Ohër, për zbatimin e marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve parasheh edhe themelimin e Zajdenicës.

Marrëveshja me 11 nene e bërë publike më 27 shkurt nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat dhe targat.

Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit./Demokracia.com/

 

Të ngjashme