Lajme
‘Do shkatërrojmë Hamasin’, kabineti i luftë në Izrael vendos vazhdimin e ofensivës në Rafah
Demokracia
22:39 | 07 Maj 2024

Share:

Izraeli është i vendosur që të vijojë sulmet në Rafah deri në shkatërrimin e plotë të grupimit militant Hamas. Një vendim i tillë është marrë nga kabineti i luftës të drejtuar nga Benjamin Netanyahu dhe të bërë publik për mediat nga zëdhënësi i qeverisë së Izraelit, David Mencer.

“Kabineti i luftës vendosi njëzëri, që Izraeli të vazhdojë operacionin e tij në Rafah, në mënyrë që të ushtrojë presion ushtarak ndaj Hamasit për të liruar pengjet tona dhe për të arritur të gjitha objektivat e luftës, pavarësisht pozitës së Hamasit. Propozimi i Hamasit është larg kërkesave thelbësore të Izraelit. Megjithatë, Izraeli do të dërgojë një delegacion në Egjipt për të maksimizuar çdo shans për një marrëveshje me kushte të pranueshme për Izraelin”, tha David Mencer, Zëdhënësi i qeverisë izraelite.

Objektivat e Izraelit përfshijnë lirimin e pengjeve dhe sigurinë që Gaza të mos jetë më kërcënim për shtetin e Izraelit.

“Një nga tre objektivat tona është të sigurojmë që Gaza të mos jetë më kurrë një kërcënim për Izraelin. Dhe kjo, sigurisht, do të thotë se ne do ta shkatërrojmë Hamasin. Dhe sigurisht, kjo do të thotë se ne do të kthejmë 132 pengjet tona”, shtoi David Mencer.

OKB-ja dhe agjencitë e tjera ndërkombëtare të ndihmave humanitare thanë se mbyllja e dy vendkalimeve në Gazën jugore si pasojë e sulmeve të Izraelit, praktikisht e kishte shkëputur enklavën nga ndihma e jashtme dhe shumë pak dyqane ishin në dispozicione brenda rrethimit. Burime të Gjysmëhënës së Kuqe në Egjipt thanë se dërgesat e ndihmave ishin ndalur plotësisht.

Ofensiva në Rafahu erdhi pavarësisht thirrjeve për javë të tëra nga Shtetet e Bashkuara, qeveritë e tjera dhe organet ndërkombëtare që Izraeli të mos e ndërmerrte një akt të tillë, pasi Rafah është streha e më shumë se një milion civilëve palestinezë të zhvendosur.

Të ngjashme