Lajme
Kurti e Vuçiqi “ping-pong” me opinionin publik, njëri do nënshkrim e tjetri jo, marrëveshja është obligative që nga dakordimi
Demokracia
18:03 | 26 Nëntor 2023

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po insiston që të nënshkruhet marrëveshja e Brukselit, kurse presidenti serb Aleksander Vuçiq, po e do të kundërtën.

“Serbia ose le ta pranojë nënshkrimin ose të pranojë që nuk është e interesuar për Asociacion. E kjo e fundit duket që është qëndrimi më i ri i Serbisë. Serbia më 26 tetor ka treguar që nuk është e interesuar për Asociacion. Ndoshta për prirjet e Serbisë duhet të flasin më shumë ata që kanë negociuar në të kaluarën, duke i besuar Serbisë, por unë jo. Edhe njëherë po e ritheksoj, unë jam i gatshëm dhe i interesuar për nënshkrim, Beogradi nuk po dëshiron të nënshkruaj më mua”, tha Kurti në Kuvendin e Kosovës me 3 nëntor, shkruan Demokracia.com.

Edhe më 24 nëntor, Kurti i foli për nënshkrim diplomates belge Hadja Lahbib.

Marrëveshjet me Serbinë| Kurtit nuk i kalon fiksimi për nënshkrim, ia thotë edhe diplomates belge

Kurse, sot presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, e rinkofirmoi qëndrimin e tij se s’do ta nënshkruajë marrëveshjen.

Vuçiq: S’do ta nënshkruaj marrëveshjen përfundimtare me Kosovën, Serbia do të ketë pasoja

Përkundër se Kurti e Vuçiq po bëjnë lojëra fjalësh, marrëveshja është e obligueshme edhe pa nënshkrimet e tyre, pasi që e kanë pranuar.

Kështu e ka thënë para disa javësh edhe ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier.

Edhe Kurti në Klan Kosova e ka thënë se marrëveshja është e obligueshme edhe pse s’ka nënshkrime.

Gazetari: A kemi marrëveshje me Serbinë, apo s’kemi?

Kurti: Ka marrëveshje me Serbinë dhe nuk ka askush që thotë që…

Posted by Lirim Mehmetaj on Monday, November 20, 2023

Se nënshkrimet s’janë të rëndësishme e kishte thënë edhe emisari amerikan Gabriel Escobar, shkruan Demokracia.com.

“Borrell e bëri shumë të qartë në deklaratën e tij për shtyp, se ajo që kemi është se kemi një takim mendjesh, kemi një angazhim dhe tani kemi obligime nga të dyja palët. Dhe të dyja palët do të gjykohen në rrugët e tyre përkatëse evropiane nga pajtueshmëria e tyre me atë që është rënë dakord. Pra, nënshkrimi nuk ishte çështja, ishte obligimi që të dy vendet e morën vetë. Dhe prapë, mirëkuptimi, mirëkuptimi i qartë nga të dyja palët, se çfarë pritej dhe çfarë do të merrte secila palë. Pra është një marrëveshje në çdo aspekt”, kishte thënë Escobar në mars të këtij viti./Demokracia.com/

Të ngjashme