Lajme
Kurti e Vuçiçi e kanë mbi tavolinë një “plan të rifreskuar” për vazhdimin e dialogut, vlerëson Selimi
Demokracia
16:52 | 22 Tetor 2023

Share:

Në tryezën e negociatave për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ekziston një lloj “plani i rifreskuar” për të shtyrë përpara zbatimin e Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksin e Implementim (Ohër, 18 mars), posaçërisht pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në fshatin Banjë të Zveçanit – komunë  e banuar me shumicë serbe – në veri të Kosovës.

Kështu të paktën ka vlerësuar ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, i cili, duke iu referuar vizitës së “pesëshes së madhe” në Prishtinë dhe Beograd të premten, ka shtuar se kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, diplomatët perëndimorë u kanë kërkuar të ndalin sulmet verbale ndaj njëri-tjetrit.

“Ekziston një lloj plani i rifreskuar i paraqitur nga QUINT-i dhe emisarët e dialogut dhe dyshoj se Kurtit dhe Vuçiçit u është thënë të ndalojnë sulmet verbale në publik. Unë dyshoj se sanksionet ndaj Kosovës do të hiqen (sanksionet ndaj Serbisë vështirë se do të vendosen nga BE-ja. Nuk ka konsensus për këtë)”, ka shkruar ish-kryediplomati kosovar.

Më 21 tetor, përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Gjermanisë, Italisë, Francës kanë shoqëruar Emisarin Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në takimet në Kosovë dhe Serbi, në një kohë kur tensionet mes palëve janë ngritur në nivele shpërthyese, posaçërisht pas sulmit vdekjeprurës të paramilitarëve serbë.

Megjithatë, ish-shefi i diplomacisë kosovare ka shtuar se ndonëse “plani i rifreskuar” i diplomatëve evropiano-amerikanë ngërthen brenda vetës të njëjtën kornizë negociuese, priten garanci më të forta për Kosovën dhe njëfarë kronologjie të rikalibruar në de-përshkallëzimin e tensioneve, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

 

Të ngjashme