Lajme
Kurti e Osmani në Gjakovë: Më 14 shkurt votoni për Lëvizjen Vetëvendosje
Demokracia
19:37 | 07 Shkurt 2021

Share:

Në ditën e pestë të fushatës zgjedhore, kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti bashkë me Vjosa Osmanin, ushtruesen e detyrës së presidentes, kanë takuar qytetarë të shumët të Gjakovës.

Në ditën e pestë të fushatës zgjedhore, kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti bashkë me Vjosa Osmanin, ushtruesen e detyrës së presidentes, kanë takuar qytetarë të shumët të Gjakovës.

Ata ishin të shoqëruar edhe nga kandidatet për deputete, Arbërie Nagavci dhe Mimoza Kusari-Lila.

Duke i falënderuar qytetarët për mikpritjen e madhe, Kurti bëri thirrje që më 14 shkurt të votohet për Lëvizjen Vetëvendosje, pasi kjo parti në qeverisjen e ardhshme do të ketë për prioritet sistemin e drejtësisë dhe punësimin e qytetarëve.

“Të dashur qytetarë të Gjakovës, faleminderit shumë për këtë mikpritje të përzemërt. Na vjen keq që nuk po mund të organizojmë tubime për shkak të pandemisë COVID-19. Ky ka qenë vetëm një marsh yni nëpër qytet. Tash do të shkojmë deri te zonja Albina Dyla. Vetëm deshëm bashkë me presidenten dhe me të gjithë kandidatët tanë për deputet që do të jenë deputetë të ardhshëm të legjislaturës së tetë t’ju përshëndesim përzemërsisht dhe t’ju themi mos harroni, më 14 shkurt, votojeni numrin 127 dhe pesë kandidatë në mënyrë që shumicën qytetare popullore ta bëjmë shumicë parlamentare dhe t’i fillojmë reformat e shumëfishta, të cilat e fokusojnë qeverinë e ardhshme në drejtësi dhe punësim“, ka thënë Kurti.

Edhe kandidatja për presidente nga lista Guxo, e cila është pjesë e listës së Vetëvendosjes, Vjosa Osmani ka shprehur besimin se Gjakova më 14 shkurt do të votojë për Lëvizjen Vetëvendosje.

“Gjakova ka vuajtur më së shumti dhe ka nevojë më së shumti që ta presë ndryshimin. Më 14 shkurt, nëse është një qytet, i cili do të na mundësojë që t’i marrim mbi 61 deputetë, atëherë ai qytet është Gjakova”, ka thënë Osmani.

Të ngjashme