Lajme
Kurti e kërkon KFOR-in në patrullime kufitare, dikur thoshte se me të kufiri i Kosovës nuk bëhet shtetëror
Demokracia
11:56 | 29 Shtator 2023

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vazhdon të shfaqet kontradiktor edhe në temën e radhës, për rolin e KFOR-it në vendin tonë dhe sidomos në pjesën veriore.

“Ne kemi nevojë për patrulla të përbashkëta që përfshijnë policinë tonë dhe KFOR-in përgjatë kufirit Kosovë-Serbi”, i ka thënë Kurti një mediumi boshnjak të enjten më 28 shtator 2023.

Sipas tij, “Kudo në Kosovë, policia jonë është reaguese e parë, e pasuar nga EULEX-i dhe më pas KFOR-i. Unë nuk besoj se ky protokoll duhet të ndryshohet”, shkruan Demokracia.com.

Kjo përgjigje e Kurtit vjen më shumë si kundërpërgjigje ndaj idesë së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, pas deklaratës së tij se “KFOR-i duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës”.

Deklaratat e Kurtit dhe Ramës vijnë vetëm tri ditë pasi në veriun e Kosovës një grup terroristësh serbë, të armatosur rëndë, vranë një polic të Kosovës dhe plagosën një tjetër. Ndërkaq nga grupi terrorist, tre u vranë dhe disa u arrestuan, kurse pjesa tjetër u lanë të ikin në Serbi.

Përgjigjja dhe njëkohësisht kërkesa e Kurtit për mediumin boshnjak, shpërfaq kontradiktën e tij të radhës me qëndrimet e tij të prera kur si opozitar fliste për misionin e NATO-s në Kosovë, i cili është i vendosur në Kosovë me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Në vitin 2011, nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, Kurti deklaronte se kufiri me Serbinë nuk bëhet ndërshtetëror me KFOR-in atje, por me Policinë e Kosovës dhe me Doganat e Republikës së Kosovës.

Madje, sipas tij, KFOR-i mbron Rezolutën 1244, por jo edhe Pavarësinë e Kosovës.

“KFOR-i po e zbaton Rezolutën 1244 dhe a e dini pse KFOR-u është tash në pikat 1 dhe 31? Sepse është i interesuar që ta mirëmbajë kufirin me Serbinë si kufi administrativ. KFOR-i po e mbron rezolutën 1244! Ne duhet ta mbrojmë pavarësinë! Nuk e mbronë KFOR-i pavarësinë. Kufiri me Serbinë bëhet kufi ndërshtetëror, jo me KFOR-in atje, por me Policinë e Kosovës, me Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës dhe me Doganat e Republikës së Kosovës”, deklaronte Kurti me 2011.

Kjo deklaratë e Kurtit bëhej në një moment delikat, pasi për herë të parë në historinë e saj, Republika e Kosovës kishte marrë nën kontroll dy pikat kufitare me Serbinë, në Bërnjak dhe Jarinjë./ Demokracia.com/

Të ngjashme
Lajme • 03 Maj 2024