Lajme
Kurti e Haxhiu thonë se opinionet e Komisionit të Venecias i hapin rrugë nisjes së Vettingut dhe krijimit të Byrosë
Demokracia
14:07 | 18 Qershor 2022

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nga Komisioni i Venecias kanë marrë përgjigje pozitive për vettingun në sistemin e drejtësisë.

Kurti në një konferencë për media së bashku me Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kanë folur për opinionet e marra nga Komisioni i Venecias për Vettingun në sistemin e drejtësisë dhe krijimin e Byrosë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, shkruan Demokracia.com.

“Kur flasim për drejtësinë, mendojmë në radhë të parë për pushtet të fuqishëm gjyqësor, që vepron me efikasitet dhe në bazë të parimeve të profesionalizmit dhe integritetit. Përmes prokurorëve energjikë dhe gjyqtarëve të mençur që merr fuqinë përmes urtësisë e autoritetin nga besimi i qytetarëve. Të gjithë jemi dëshmitarë të njollosjes së shpeshtë të gjyqësorit nga vetë gjyqtarë dhe prokurorë me veprime e sjellje të pa matura dhe të korruptuar apo të ngjyrosur politikisht. Gjyqësori i tillë kërcënon lirinë dhe sfidon shtetësinë. Reformimi i gjyqësorit për brenda nuk është i mundur. Këtë e kemi të konfirmuar edhe me opinionet e pranuara nga Komisioni i Venecias”, tha Kurti.

“Rivlerësimi dhe verifikimi i aftësive të krerëve të pushtetit gjyqësor e prokurorial nisin nga mekanizmat e jashtëm të pavarur. Jemi për të prezantuar reformën në sistemin gjyqësor, Vettingun dhe konfiskimin e pasurisë së paligjshme, që Komisioni i Venecias ia ka thënë besimin e plotë. Komisioni i Venecias na bind se reformat e propozuara janë adekuate dhe në pajtim me shtetet demokratike. Jo rrallëherë drejtësia është sfiduar në mënyra që nuk duhet toleruar. Rivlerësimin e verifikimin e aftësive të krerëve e nisim me mekanizmat e jashtëm të pavarur nga çdo ndërhyrje. Prezantojmë fillimin e reformës substanciale në sistemin gjyqësor. Vettingun dhe verifikimin e konfiskimin e pasurisë së paligjshme. Besimi që kemi marrë nga ju, na ka dhënë kurajo në luftimin e krimit dhe korrupsionit. Reformat e propozuara janë adekuate dhe në pajtim me vlerat demokratike”, tha ai.

Haxhiu tha më tej se kanë marrë dritën e gjelbër për vettingun dhe byronë.

“Në kontekstin e Kosovës, Komisioni vlerëson se një vetting efektiv do të kërkonte domosdoshmërisht nevojën e kombinimit të masave të ndryshme që do të ketë efekt pozitiv në integritetin dhe efikasitetin e sistemit të drejtësisë, ndërsa për byronë, Komisioni gjen se korrupsion është një problem serioz dhe sistematik dhe sipas tyre lufta kundër korrupsionit duhet të rritet dhe se konfiskimi civil mund të jetë i dobishëm”, tha Haxhiu./Demokracia.com/

Të ngjashme