Lajme
Biserko: Shpresoj që Kosova të bëhet anëtare e KiE-së, do ishte pozitive edhe për komunitetin serb
Demokracia
21:08 | 01 Maj 2024

Share:

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi (HCHR), Sonja Biserko, shpreson që Kosova sa më shpejt të bëhet anëtarja më e re e Këshillit të Evropës, derisa ka shtuar se Beogradi u përpoq ta shtynte votimin sa më shumë të ishte e mundur, duke përdorur lobimin e tij kundër anëtarësimit të Kosovës.

Evropës. Shpresoj që tani Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, gjë që do ishte pozitive për komunitetin serb në Kosovë pasi mund të adresojnë shqetësimet dhe problemet e tyre, përfshirë pretendimet që kanë ndaj qeverisë së Kosovës”, tha Biserko në një intervistë për Euro News Albania.

Ndryshe, raportuesja për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis, nëpërmjet një artikulli autorial të botuar në platformën “European Western Balkans” të mërkurën, deklaroi se asnjë vendi kandidat nuk i është kërkuar ndonjëherë që të përmbushë kaq shumë kushte në mënyrë që të pranohet në këtë organizatë të rëndësishme evropiane sikurse në rastin e Kosovës.

“Asnjë kandidati nuk i është kërkuar ndonjëherë të ndërmarrë kaq shumë reforma para se të sillet për debat mbi anëtarësimin në këtë organizatë. Kjo është ndoshta arsyeja pse 83 për qind e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës votuan pro raportit”, shkroi Bakoyannis pas sulmeve që erdhën nga zyrtarët serbë veç pse rekomandoi anëtarësimin e Kosovës.

Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshill të Evropës në maj të vitit 2022, por moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit u kthye në pengesë që vendi i vogël ballkanik të vazhdojë rrugëtimin drejt anëtarësimit në organizatë, posaçërisht sepse të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit janë dy vlerat themelore mbi të cilat bazohet Këshilli i Evropës.

Kjo çështje mori epilog kur Qeveria e Kosovës vendosi në mars t’ia dorëzojë pronësinë e 24 hektarëve tokë Kishës Ortodokse Serbe (KOS). Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi në favor që manastirit t’i jepej toka në vitin 2016, por qeveritë e njëpasnjëshme kosovare refuzuan ta zbatonin vendimin e gjykatës. Por konsiderohet se Kosova ka ende çështje për të adresuar.

Megjithatë, raportuesja greke kujtoi se raporti i kushtohet vetëm të drejtave të njeriut dhe nevojës për të sjellë edhe 2 milionë evropianë të tjerë nën ombrellën demokratike të Këshillit të Evropës, derisa shtoi se nuk bëhet fjalë për pranimin e shtetësisë së Kosovës, duke iu referuar edhe në tekst Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB).

“Në fakt, gjatë fjalës sime në seancë plenare, nënvizova se nëse do të kisha qenë e detyruar nga Komiteti i Ministrave – organi vendmmarrës – të shpreh mendimin tim për shtetësinë, nuk do ta kisha marrë kurrë raportin dhe do të rreshtohesha me pozicionin e vendit tim, duke mohuar çdo konsideratë për anëtarësimin e Kosovës në organizatë”, u shpreh Bakoyannis.

“Jo vetëm sepse përfaqësoj një shtet anëtar që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por edhe për shkak të punës sime për integrimin evropian të Serbisë. Për herë të parë vizitova Beogradin në prill  1993, kur shoqërova babain tim, Konstantinos Mitsotakis, i cili atëherë ishte kryeministër i Greqisë. Gjatë 30 viteve të ardhshme, mbështeta Serbinë nga çdo pozitë”.

Kosova u mbështet nga shumica dërrmuese e deputetëve në Asamblenë e Parlamentare të Këshillit të Evropës për të kaluar fazën e parafundit drejt anëtarësimit në panteonin e kombeve të barabarta demokratike evropiane, ndërsa vendimmarrja është në dorën e Komitetit të Ministrave që pritet të mblidhet dikur në mes të muajit maj në Strasburg të Francës.

Të ngjashme