Lajme
Kurti del me detaje: Po përgatitet një sulm i ri ndaj Kosovës, ja ku janë stacionuar serbët
Demokracia
12:50 | 23 Dhjetor 2023

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë për media ka zbuluar detaje të përgatitjes së një sulmi tjetër terrorist të Serbisë në Kosovë. Ai ka thënë se ky sulm po përgatitet sërish nga Milan Radojiçiq. Kurti ka thënë se organizata terroriste “Mbrojtja Civile” është pjesë e këtij organizimi.

Kurti e hapi konferencën me disa detaje lidhur me sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.

“Urdhri për sulmin terrorist e kriminal në Banjskë të Zveçanit, i planifikuar dhe organizuar nga shteti serb u ishte kumtuar një ditë më herët pra saktësisht para tre muajve iu ishte kumtuar në mjediset e kompanisë Novipazar Put. Automjetet, armët dhe gjithë arsenali i përdorur në Banjskë ishin të përqendruara në këtë lokacion. Kjo kompani që është në listën e zezë të SHBA-ve është pronë e vëllezërve Zvonko e Zharko Veselinoviq dhe Milan Radojiçiq ndërsa drejtor është një kolonel i pensionuar i ushtrisë serbe, Alekandër Gërboviq i njohur me nofkën “Gërba”. Ai ka marrë pjesë në luftat e Kroacisë, Bosnjes dhe Kosovës dhe gjithashtu ka qenë drejtor i burgut të Nishit për pesë vjet dhe kryetar i komunës së Pozhegës në vitin 2008.”, tha Kurti.

Ai gjithashtu ka thënë se Vuçiq kishte vizituar kompaninë ku ishin të stacionuar terroristët serbë para 24 shtatorit.

“Një muaj para sulmit në Banjskë, këtë kompani e kishte vizituar presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq për ta përuruar rrugën Rashkë – Novi Pazar me gjatësi 18 km. Gjatë vizitës, ai e kishte lavdëruar punën e drejtorit dhe iu është referuar atij si njeriu më i shpejtë nga të gjithë shoferët. Ai e përgëzoi edhe shpejtësinë e punës për rrugën të cilën u përurua tre muaj para kohe me nxitim.”, tha Kurti.

Nga aty, Vuçiq kishte thënë se “shqiptarët po duan konflikt”, por sipas Kurtit kjo ndodhi pasi ai vet po e përgatiste një konflikt.

“Presidenti i Serbisë nga aty tha se e ka të vështirë të gjejë zgjidhje kur flet me njerëzit nga Prishtina, duke menduar për mua, të cilët sipas tij po kërkojnë arsye për konflikte e sulme ndaj popullatës serbe. Ai akuzonte për sulm, sepse po përgatitej për sulm gjë që ndodhi më 24 shtator.”, tha Kurti.

Kurti gjithashtu ka zbuluar detaje të një sulmi të ri që po përgatitet sipas tij nga terroristët serbë në Kosovë.

“Pas sulmit terrorist e kriminal, Milan Radojiçiq u lirua nga gjykata serbe në kohë rekord, ai tash po vazhdon përgatitjet për sulme të tjera në vendin tonë, bashkë me disa anëtarë të organizatës terroriste mbrojtja civile. Radojiçiq po mban takime të rregullta me zyrtarë të BIA-s, ambientet e firmës Jabllanovica në Rashkë, ngjashëm me Novipazar Put po përdoren për strehimin dhe ruajtjen e automjeteve dhe mjeteve eksplozive për sulmet e ardhshme nga Radojiçiq dhe grupi i tij, por në këtë ndërtesë strehohen disa nga anëtarët e Mbrojtjes Civile të cilët kryejnë vëzhgime në Kosovë.”, tha Kurti.

Të ngjashme