Lajme
Kurti braktis kryetarët në veri dhe i demotivon, pas disa muajve mund të kemi zgjedhje
Demokracia
22:13 | 07 Qershor 2023

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duket se nuk po qëndron më krah kryetarëve të zgjedhur në komunat veriore të Kosovës, pasi ai ka paralajmëruar zgjedhje të reja. 

Kurti për medien e njohur “France 24” ka thënë se brenda muajsh mund të ketë zgjedhje të reja.

“Zgjedhjet do të mbahen sipas rendit dhe ligjit. Duhet të ketë vendosje të rendit dhe ligjit. Pa ligj nuk mund të ketë zgjedhje demokratike”, është shprehur Kurti për France 24.

Kurti madje e ka pranuar edhe dështimin dhe destruktivitetin, shkruan Demokracia.com.

“Nuk dua dështim pas dështimit. Dua të angazhohem për konstruktivitet, rend, ligj dhe demokraci. Për këto nuk ka kompromis”, ka thënë ai.

Kurti ka përsëritur se legjitimiteti i kryetarëve aktualë është i dobët, por që askush tjetër nuk është më legjitim së ata për të pasur qasje në objektet komunale.

“Sot në tri komunat veriore situata përgjithësisht ishte e qetë. Pse? Sepse, nuk ka pasur urdhër për dhunë nga Beograd. Nuk ju kanë dalë llogaritë. Kanë menduar se atje do të dështojë sistemi, por nuk ka ndodhur. Janë katër kryetarë. Nëse nuk do të hyjnë në ndërtesa zyrtare, ku duhet të hyjnë? Nëse ato s’janë për ta, për kë janë? Ne kemi për ta mbrojtur kushtetutshmërinë. Këta katër kryetarë nuk shoh se do ta përfundojnë mandatin. Brenda muajsh mund të kemi zgjedhje, por nuk duhet të ketë banda. Duhet pasur kushte për zgjedhje të parakohshme”, ka thënë Kurti. /Demokracia.com/ 

Të ngjashme