Lajme
Kur pritet të arrijnë dozat e para të vaksinës anti-COVID në Kosovë?
Demokracia
21:05 | 18 Shkurt 2021

Share:

Vaksinat e para kundër COVID-19 pritet që shumë shpejt të arrijnë në Kosovë. Të njëjtat do të dorëzohen përmes UNICEF-it, ndërsa nga kjo organizatë kanë bërë të ditur se gjatë këtyre ditëve do të marrin informata shtesë nga COVAX, në lidhje me hapat e ardhshëm dhe kornizën kohore të alokimit të vaksinës. Kjo është konfirmuar për Demokracia.com nga Ministria e Shëndetësisë së Kosovës.

Pas gati një vit përballje me koronavirusin, vaksinat anti-COVID shumë shpejt pritet që të arrijnë edhe në Kosovë.

Dozat e para janë siguruar nga mekanizmi COVAX dhe do të dorëzohen në vend përmes UNICEF-it.

Nga Ministria e Shëndetësisë së Kosovës në një përgjigje për Demokracia.com, kanë bërë të ditur se gjatë këtyre ditëve priten më shumë informata në lidhje me kornizën kohore të alokimit të vaksinës.

“OBSH ka miratuar vaksinën AstraZeneca/SKBio dhe SIIL për përdorim emergjent kundër Covid-19. Kjo vaksinë për vendet përfituese, ku bën pjesë edhe Kosova (20%) është siguruar nga mekanizmi COVAX dhe dozat e para në Kosovë dorëzohen përmes UNICEF-it. UNICEF ka bërë të ditur se këtyre ditëve shtetet përfituese nga COVAX do të marrin informata nga COVAX në lidhje me hapat e ardhshëm dhe kornizën kohore të alokimit te vaksinës. COVAX ndërkaq, ka bërë të ditur, sipas itinerarit të tyre të shpërndarjes, Kosovës për fillim do t’i jepen 100.800 doza”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Tutje, nga MSH-ja për Demokracia.com kanë theksuar se është përgatitur Plani i Imunizimit kudër COVID-19 dhe se janë në dispozicion edhe ekipet e vaksinimit.

“Kosova ka përgatitur Planin e imunizimit kundër COVID-19 në detaje, përfshirë edhe planin e shpërndarjes, ka trajnuar personelin që merren me vaksinim, ka përforcuar kapacitetet e zinxhirit të ftohtë të ruajtjes dhe ka ne dispozicion ekipet e vaksinimit dhe logjistiken përcjellëse për krejt këtë proces”, kanë bërë të ditur nga MSH.

Në fund, MSH-ja ka konfirmuar se vaksinimi do të bëhet në nivel qendror dhe kategoritë që do ta marrin vaksinën fillimisht, janë personeli shëndetësor, të moshuarit mbi 80 vjeç, personat e vendosur në shtëpitë e të moshuarve, punëtorët socialë si dhe personat me sëmundje kronike.

Ndryshe, Republika e Kosovës në fillim të muajit dhjetor ka aplikuar tek mekanizimi COVAX, për sigurimin e vaksinave që do jepet falas për 20 për qind të popullates.

Kosova me qëllim të sigurimit të vaksinave kundër COVID-19, ka marrë konfirmimin edhe nga kompania Pfizer për sigurimin e 500.000 dozave të kësaj vaksine./Demokracia.com/

Të ngjashme