Lajme
Fajtore për grevat në arsim për Nagavcin në opozitë ishte Qeveria, tash fajin e kanë mësimdhënësit
Demokracia
20:24 | 24 Gusht 2022

Share:

Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka paralajmëruar grevë të përgjithshme në sistemin arsimor.

Mësimdhënësit kosovarë nuk do ta kapin ditarin në duar këtë fillimvit për t’i pritur nxënësit.

Ata po kërkojnë që Qeveria t’ua paguajë 100 euro në muaj, deri në miratimin e Ligjit për Pagat.

Por, paralajmërimet për grevë nuk po i pret mirë Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, shkruan Demokracia.com.

Ajo ka thënë se nuk mund të ndërpritet procesi mësimor sa herë që dikush dëshiron.

“Paralajmërimet e SBASHK për ndërprerje të procesit mësimor kundrejt rritjes në paga nuk kanë arsyetim! Ky cikël i përsëritshëm i kërcënimeve nuk mund të vazhdoj më. SBASHK gëzon të drejtë të garantuar ligjore për organizim dhe reagim sindikal, por nuk mund të cenoj të drejtën kushtetuese të nxënësve për shkollim. Nuk ndërpritet procesi mësimor sa herë që dikush dëshiron!”, ka thënë ministrja Nagavci.

Por, vetëm tri vjet më parë kur Nagavci dhe Vetëvendosje ishin në opozitë, ata fajtore për grevat e linin Qeverinë, duke thënë se po t’i rriste pagat, mësimdhënësit nuk do të futeshin në grevë.

Në janar të vitit 2019, dy deputetët e opozitës së asaj kohe nga Vetëvendosje, që merreshin me çështjet e arsimit, vlerësonin se greva e mësimdhënësve erdhi si rezultat i degradimit të arsimit dhe keqqeverisjes së Qeverisë Haradinaj.

Ministrja e tanishme, Arbërie Nagavci, asokohe akuzonte Qeverinë për mosmiratimin e Ligjit të Pagave, që sipas saj, ishte arsyeja kryesore e grevave në arsim.

Ndërkaq, sot kur Qeveria që bënë pjesë edhe Nagavci mezi arriti ta hartojë një draft të Ligjit të Pagave, ndonëse e kishte paralajmëruar për në muajin mars, fajtorë për grevat po i konsiderojnë mësimdhënësit.

“Qeveria nga njëra anë merr vendime arbitrare dhe të papërgjegjshme, duke i rritur pagën vetes jashtëligjshëm, duke falur dhjetëra miliona euro nga buxheti i vendit pa asnjë kriter, duke stërmbushur kabinetin qeveritar me qindra këshilltarë, zëvendëskryeministra, ministra e zëvendësministra, duke mbushur bordet e institucionet publike me militantë partiakë dhe nga ana tjetër nuk merret me zgjidhjen profesionale të problemeve dhe adresimin. Kjo Qeveri është fajtori kryesor për grevat që po ndodhin sot dhe për pamundësinë e fëmijëve që të jenë në kopshte e nxënësit nëpër shkolla”, thoshte asokohe Nagavci, përcjell Demokracia.com.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje që në atë kohë ishte edhe Kryetar i Komisionit për Arsim në Kuvend, Ismajl Kureshi, fliste edhe për mungesën e prioritizimit të arsimit nga kjo Qeveri, që pashmangshëm ka çuar në këtë grevë.

“Sikur Qeveria t’i kishte vënë në jetë vetëm dy pikat e para të rezolutës për arsim të aprovuar para dy viteve në Kuvendin e Kosovës, si rritja e buxhetit dhe menaxhimi i drejtë i tij dhe rritja e llogaridhënies, monitorimit dhe vlerësimit të performancës, sot arsimi nuk do të ishte këtu ku është”, kishte thënë Ismajl Kurteshi.

“Sikur Qeveria të mos i rriste rrogat e veta dhe të mos i injoronte shqetësimet e SBASHK-ut, sot nuk do t’i krijonte pakënaqësitë që i ka krijuar dhe nxënësit nuk do të mbeteshin në shtëpitë e tyre. Shkaktari i vërtetë i grevës është Qeveria e Kosovës”, kishte shtuar Kurteshi./Demokracia.com/

Të ngjashme