Lajme
Procedura | Kur e humb mandatin një kryetar dhe çfarë ndodhë pasi mblidhen 20% e nënshkrimeve në katër komunat e veriut?
Demokracia
17:19 | 17 Janar 2024

Share:

Me mbledhjen e 20% të nënshkrimeve të votuesve në çdo komunë të veriut të Kosovës, nuk përfundon mandati i kryetarit të asaj komune.

Gjithashtu, as nuk ndodhë shkarkimi i menjëhershëm i kryetarit të komunës, shkruan Demokracia.com.

“Udhëzimi Administrativ Nr. 02/2023 për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni” i miratuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) më 5 shtator 2023, parasheh procedurën se çfarë ndodhë pasi në një komunë të caktuar, grupi nismëtar arrin të mbledhë 20% të nënshkrimeve të qytetarëve me të drejtë vote të asaj komune.

NGA SA NËNSHKRIME DUHET TË MBLIDHEN NË KATËR KOMUNAT E VERIUT?

Në Mitrovicën e Veriut duhet të mblidhen së paku 3.640 nënshkrime për shkarkimin e kryetarit të komunës, pasi në listën zgjedhore janë regjistruar 18.199 persona me të drejtë vote.

Në komunën e Leposaviqit të drejtë vote kanë 13.441 persona, që do të thotë se të paktën 2.689 prej tyre duhet ta nënshkruajnë peticionin për shkarkimin e kryetarit.

Në Zubin Potok peticionit duhet t’i përgjigjen së paku 1.347 votues, që është 20 për qind nga 6.732 të votuesve të regjistruar. E në Zveçan, që peticioni të jetë i suksesshëm duhet të nënshkruhet nga së paku 1.411 persona.

ÇFARË NDODHË PASI TË MBLIDHEN 20% E NËNSHKRIMEVE?

Sipas Udhëzimit Administrativ të MAPL-së, pasi të mbledhë nënshkrimet, grupi nismëtar e përgatit dosjen e kërkesën me nënshkrime dhe ia dorëzon Kryesusit të Kuvendit Komunal, i cili të njëjtën e përcjellë në KQZ dhe ky institucion, verifikon listën e nënshkrimeve.

Pasi KQZ-ja të verifikojë listën e nënshkrimeve e njofton Kryesuesin e Kuvendit Komunal, Grupin Nismët dhe Ministrinë, me vlerësimin përfundimtar.

Grupi nismëtar mund të fitojë një afat shtesë për plotësimin e numrit të kërkuar të nënshkrimeve, nëse këtë nuk e ka arritur në herën e parë. Nëse as pas afatit shtesë nuk arrin të grumbullojë numrin e domosdoshëm të nënshkrimeve, atëherë KQZ konstaton se kërkesa është e pavlefshme.

Por, në rast se grupi nismëtar ka arritur të mbledhë 20% të nënshkrimeve të kërkuara, atëherë sipas Udhëzimit Administrativ duhet të organizohet votimi për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni.

ORGANIZIMI I VOTIMIT PËR SHKARKIMIN E KRYETARËVE

Sipas UA të MAPL, procesi i votimit për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni zhvillohet sipas procedurave dhe rregullave për zgjedhjet të përcaktuara me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Ligjin për Zgjedhjet Lokale.

Sipas Udhëzimit, KQZ duhet të ndërmarrë veprimet për administrimin e procesit të votimit për largimin e kryetarit nga funksioni, i cili zhvillohet jo më vonë se dyzet e pesë (45) ditë nga dita e konstatimit përfundimtar se kërkesa për largimin e kryetarit është mbështetur nga së paku 20% e votuesve të regjistruar në komunën përkatëse. Për çdo fazë të procesit KQZ konsultohet me kryesuesin e kuvendit komunal dhe grupin nismëtar.

Nëse shumica e votuesve të komunës përkatëse nga lista e përfundimtare e votuesve, pesëdhjetë përqind plus 1 (50% + 1), votojnë për largimin e kryetarit, konsiderohet se kryetari i komunës është larguar nga funksioni.

Nëse numri i votuesve që kanë votuar për largimin e kryetarit të komunës nuk arrin 50%+1, konsiderohet se iniciativa për largimin e kryetarit të komunës ka dështuar.

Nëse konstatohet përfundimisht që iniciativa për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni ka dështuar për shkak të mosplotësimit të kushtit për votimin e 50%+1 të votuesve për largim e kryetarit nga funksioni, iniciativa tjetër me kërkesë për largimin e kryetarit të njëjtë, nuk mund të iniciohet para kalimit të afatit prej 12 muajsh nga dita e konstatimit përfundimtar për dështimin. /Demokracia.com/

https://demokracia.com/serbet-nisin-ta-bejne-realitet-rrugen-qe-ua-hapi-albin-kurti-per-shkarkimin-e-kryetareve-shqiptare-te-komunave-veriore-video/

Të ngjashme