Intervista
Kulla vë në pikëpyetje ekzistencën e BE-së pas pushtimit rus në Ukrainë: Evropa ka vetëm hallin e interesave ekonomike
Demokracia
14:29 | 28 Shkurt 2022
Ilustrim

Share:

Eksperti i sigurisë ndërkombëtare, Ilir Kulla vë në pikëpyetje ekzistencën e Bashkimit Evropian, pas pushtimit rus në Ukrainë. Ai në një intervistë për KosovaPress thotë se Rusia dhe Kina kërkojnë të bëjnë një rend të ri botëror. E mënyra e vetme për të ndalur ngjarjet në Ukrainë, Kulla thotë se është rreshtimi në Kiev i 150-200 mijë ushtarëve nga Perëndimi.

Derisa flet për agresionin rus në Ukrainë, Kulla thotë se ngjarjet atje kanë ndikim në të gjithë hapësirën evropiane, përfshirë edhe Ballkanin. Lidhur me këtë, ai apelon të dyja vendet, Kosovën dhe Shqipërinë, që të forcojnë ushtrinë.

Sipas tij, ajo që ndodhi në Ukrainë nuk do të ndodhte nëse Bashkimi Evropian të kishte qenë njëmend i tillë.

“Gjithmonë nëse do të ekzistojë BE-ja, sepse ajo që ndodhi në Ukrainë nuk do të ndodhte nëse BE-ja do të kishte me qenë BE. Sepse Ukraina erdhi në këto pozita për shkak të faktit se një pjesë e mirë e klasës politike të Ukrainës vendosi shkëputjen nga Rusia dhe influenca ruse dhe kalimin drejt perëndimit, drejt BE-së. Dhe, BE-ja nuk e bëri anëtare të veten Ukrainën dhe gjëja më e keqe është që në fatkeqësitë e ditëve të sotme, përveç ndihmave mediatike, deklaratave dhe ndonjë ndihmë financiare, nga Perëndimi dhe këtu jo vetëm BE, por edhe NATO, nuk ka asnjë lloj ndihme konkrete për Ukrainën… Në rastin konkret ne shohim një Evropë që i tejkalon vlerat, premtimet, dhe ka vetëm hallin e interesave ekonomik, nuk e ka hallin e Luftës së Tretë Botërore, as luftës hapësinore, ka vetëm hallin e interesave ekonomike…  Nëse BE-ja është vetëm euro dhe e humbet tërë shpirtin e saj, nuk do të ekzistojë, do të jetë një hapësirë ku do të jenë të lidhur vetëm me interesat ekonomike, ku si duket kështu qenka. Është e trishtuar për banorët e Ballkanit Perëndimor, që jemi ne, të shohim këtë të vërtetë, por jemi përball kësaj të vërtete të trishtuar”, thotë ai.

Kulla thotë për KosovaPress se në rast se bie Ukraina, duke u kthyer në kthetrat e Rusisë, atëherë asnjë vend që aspiron të shkojë drejt Perëndimit, nuk do të ketë më besim në të.

Derisa flet për sanksionet, eksperti i sigurisë ndërkombëtare thotë se nëse këto të fundit do të kishin pasur efekt Rusia nuk do të ishte forcuar që nga ngjarjet e Krimesë. Ai tregon se çfarë duhet të bëjë Perëndimi për të ndalë ngjarjet e Ukrainës.

“Nëse sanksionet do të kishin pasur efekt, Rusia që nga ngjarjet e Krimesë nuk do të ishte forcuar por do të ishte dobësuar. Ka vetëm një formë për të ndalur sot perëndimi ngjarjet e Ukrainës, vetëm në qoftë se perëndimi do të rreshtonte një ushtri prej 150,180 apo 200 mijë njerëzish në Kiev dhe do të mbronte kryeqytetin e Ukrainës. Kjo gjë nuk ndodhë atëherë kjo të shkojë ose me luftën e popullit të Ukrainës ose nëse do të kthehen në një tryezë bisedimesh, nuk ka gjasë tjetër. Sanksionet janë një element qesharak në këtë pikë kur vet presidenti i Rusisë thotë që ‘ashtu kështu ju do na vinit sanksionet dhe e kishim parashikuar këtë gjë dhe se kemi problem’. Dhe, e dyta, është që të jemi të vërtetë, sanksionet pa ua sanksionuar gazin e energjisë dhe pa sanksionuar drithërat nuk ka, këto janë elementet. Sanksionimi i aeroflotit e disa politikanëve, disa oligarkëve dhe disa bankave është një gjë pa efekt, duke llogaritur që bota ka ndryshuar dhe tregu më i madh i Rusisë sot është Kina dhe Azia”, thotë Kulla.

Ai komenton gatishmërinë e kryeministrit britanik, Boris Johnson, për të ndihmuar Ukrainën. Ndërkohë që thotë se pas agresionit rus në Ukrainë, pika më delikate mbetet Bosnja dhe Mali i Zi.

“Britania paska pasur të drejtë që paska ikur nga një BE-ja, e cila është vetëm në duart e burokratëve dhe ka qenë deri më tani shteti më serioz në raport me këtë gjë. Por, unë nuk mendoj se është vetëm Kosova në rajon e këto, pika më delikate për momentin është Bosnja dhe Mali Zi. Kemi Mal të Zi të destabilizuar politikisht, ku ata që janë në qeveri sot janë anti-perëndimor, të hapur, dhe kemi gjysmën e shtetit federativ të Bosnjës që nuk do të mund të jetë as pjesë e Bosnjës, as pjesë e BE-së dhe as pjesë e NATO-s”, thotë Kulla.

Sa i përket qëndrimit të Serbisë karshi agresionit rus në Ukrainë, Kulla thotë se nuk ka pasur se të ishte ndryshe.

Sipas tij, mosvendosja e sanksioneve për Rusinë nga ana e Serbisë, vetëm se ka zhgënjyer ata që kanë menduar se kjo e fundit do t’i bashkëngjitej agjendës evropiane.

“(Vuciqi) Është i hapur dhe i drejtpërdrejtë, thotë atë që mendon dhe ka thënë para disa ditësh që ‘shumica e popullsisë është filoruse’. Nuk ka asgjë të re në atë, vetëm se janë zhgënjyer të gjithë ata që në të shkuarën kanë menduar se Serbia do t’i bashkëngjitet agjendës evropiane. Dhe, për shkak të kësaj agjende evropiane të Serbisë jemi mbajtur peng të gjitha ne vendet e tjera të rajonit që kemi dashur t’i bashkëngjitemi agjendës evropiane, kemi asistuar në 15 vitet e fundit me një ngrirje të procesit të zgjerimit të BE-së në rajonin tonë”, thotë eksperti i sigurisë ndërkombëtare.

Situata aktuale që po mbretëron në botë pas fillimit të sulmeve të Rusisë në Ukrainë, sipas Kullës duhet të shërbejë si ultimatum për mobilizim ushtarak dhe fuqizim ekonomik.

“S’pres unë ndonjë gjë të re nga Rusia, s’kam pse të pres. Rasti konkret është naivitet të presësh nga Rusia, thjesht ne duhet t’i bëjmë detyrat tona të shtëpisë. Ne disa jemi në NATO, disa jemi në çadrën e NATO-s dhe kjo nuk na pengon që ne të armatosemi, të krijojmë ekonomi të fortë, të bashkëpunojmë fort me njëri-tjetrin në ekonomi, mbrojtje, të stërvitim rininë, të jemi të fortë në mbrojtjen kibernetike, të forcojmë buxhetet tona në fushën e mbrojtjes, nuk pres ndonjë gjë unë nga Rusia. Rusia është e qartë si Serbia në raport me Kosovën, nuk e njohin dhe unë nuk pres ndonjë gjë. Ajo gjë që unë pres është që pas 23 vitesh, ne të jemi të pjekur, të maturuar në raport me atë që është situata dhe që është realiteti, ky është realiteti”, tha ai.

E për këtë, eksperti i sigurisë ndërkombëtare vlerëson se nuk duhet humbur kohë, pasi që siç thotë ai, Rusia dhe Kina kërkojnë të bëjnë një rend të ri botëror.

“Një gjë është e qartë se Rusia dhe Kina kërkojnë të bëjnë një rend të ri botëror, ku hemisfera veriore të dominohet nga këto tre pretenca, SHBA në Atlantik andej dhe këtej, Rusia në Evropë deri në Azi dhe Kina pjesën tjetër të Azisë. Por kjo kërkon një bisedë shumë më të gjatë se biseda aktuale”, thotë ai.

Të ngjashme