Lajme
Kthehet në rivendosje rasti ku ish-avokati kërkon 50 mijë euro nga Kusari-Lila
Demokracia
14:35 | 11 Janar 2022

Share:

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rivendosje rastin ku ish-përfaqësuesi i Komunës së Gjakovës, Afrim Radoniqi e ka paditur për shpifje dhe fyerje, ish-kryetaren e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila.

Sipas padisë, Radoniqi po pretendon se Kusari-Lila ka shpifur ndaj tij kur kjo e fundit citohet të ketë thënë në emisionin “Puls” të KTV-së se: “Ndaj avokatit publik komunal janë të ngritura tri aktakuza zyrtare për veprën penale shpërdorim i detyrës zyrtare dhe autorizimit, dhe pritet që Prokuroria të ngritë edhe katër aktakuza tjera”.

Tutje sipas padisë, Kusari-Lila thuhet të ketë përhapur fakte të pavërteta edhe në emisionin “Jeta nëpër komuna” të RTK-së, ku citohet të ketë thënë: “Avokati publik Afrim Radoniqi është bërë milioner me pronat e komunës…”.

Lidhur me këtë kërkesëpadi që është parashtruar në nëntor të 2015-ës, Gjykata Themelore në Gjakovë, më 10 janar 2018, e kishte refuzuar të njëjtën si të pabazuar.

Mirëpo, i pakënaqur më këtë aktgjykim, ankesë në Gjykatën e Apelit kishte parashtruar paditësi Radoniqi.

E, Apeli ka vendosur që ankesa e paditësit është e bazuar, duke e prishur kështu aktgjykimin e shkallës së parë, dhe rastin e ka kthyer në rivendosje.

Sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë është marrë me shkelje të dispozitave esenciale të Ligjit për procedurën kontestimore, për shkak se në arsyetim mungojnë arsyet mbi faktet vendimtare, faktet janë të pakta dhe kontradiktore dhe ekzistojnë kundërthënie midis asaj që është thënë në arsyetimin e aktgjykimit dhe asaj që është përmbajtur në shkresa të lëndës.

“Kolegji gjen se gjykata e shkallës së parë nuk ka vërtetuar dhe nuk ka dhënë përgjigje të mjaftueshme edhe lidhur me të dhënën nëse e paditura është shprehur se: “Avokati publik Afrim Radoniqi është bërë milioner me pronat e Komunës se ndaj të njëjtit janë të ngritura tri aktakuza zyrtare për veprën penale”, dhe nëse në kohën e deklarimit ka pasur të ngritur ndonjë akt akuzues për një çështje të tillë”, thuhet ndër të tjera në arsyetim të Apelit.

Ndryshe, sipas padisë, Radoniqi po kërkon që gjykata të nxjerrë aktgjykim me anë të së cilit do të vërtetohet se Kusari-Lila ka shkaktuar dëm të pariparueshëm personalo-moral, me anë të linqimit publik të pabazuar me atë të shpifjes, lansimit të fakteve të pavërteta në mediat elektronike dhe ato të shkruara, me qëllim të degradimit të paditësit para opionionit publik.

Paditësi përmes kësaj kërkesëpadie po kërkon që Kusari-Lila të obligohet që t’ia kompensoj dëmin jomaterial në shumën prej 50 mijë euro me kamatë prej 3.5% nga dita e parashtrimit të padisë./BetimipërDrejtësi.

 

Të ngjashme