Lajme
Kthehet në punë nënkoloneli i policisë që ra në përgjime gjatë konfiskimit të 400 kilogramëve kokainë në Lipjan
Demokracia
16:51 | 17 Janar 2022

Share:

Nënkoloneli i Policisë së Kosovës, Arbnesh Ajvazi i cili ishte suspenduar nga Inspektorati Policor i Kosovës me dyshimin se ka kryer veprën penale “Ushtrim ndikimi” dhe “Zbulim i fshehtësisë zyrtare”, është kthyer në punë në Drejtorinë Rajonale të Mitrovicës së Jugut.

Ai ishte kishte rënë në përgjime me një nga të dyshuarit që është arrestuar në rastin e sekuestrimit të 400 kilogramëve kokainë në Lipjan në maj të vitit 2021, shkruan Demokracia.com.

Se Ajvazi është kthyer në punë e konfirmon një postim i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë. Në fotografitë e publikuara nga Policia shihet edhe Ajvazi.

Në postim nuk tregohet se cila është pozita e re e nënkolonelit Ajvazi.

Ndonëse bëhet fjalë për rast tjetër, ai ishte përgjuar për rastin e sekuestrimit të drogës.

Në operacionin e përbashkët mes Policisë së Kosovës, DEA-s amerikane, Policisë së Shqipërisë dhe Policisë Italiane, më 17 maj të vitit 2021 u kapën 400 kilogramë kokainë në Lipjan. Droga ishte kapur në një kamion të kompanisë Mcfood.al.

E suspendimi i tij ishte bërë me datën 20 shtator.  IPK-ja kishte njoftuar se ka rekomanduar suspendimin e një nënkoloneli policor për “ushtrim ndikimi” dhe “zbulim të fshehtësisë zyrtare”.

“Hetuesit e IPK-së në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë janë duke hetuar një rast i dyshuar është një zyrtar policor me gradën e nënkolonelit me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Ushtrim ndikimi” dhe “Zbulim i fshehtësisë zyrtare”. Rekomandimi për suspendim është bërë në interes të procedurës hetimore përderisa hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime tjera hetimore për këtë rast në koordinim me prokurorinë e shtetit”, thuhej në njoftimin e  IPK-së.

Arbnesh Ajvazi para suspendimit ishte drejtor i Divizionit të rendit publik në Komandën Kryesore në Policinë e Kosovës. /Demokracia.com/

Të ngjashme