Lajme
Kryetarja e Gjykatës Speciale më 29 nëntor në Kosovë: PSD-ja e pret me protestë
Demokracia
16:10 | 22 Nëntor 2023

Share:

Kryetarja e Gjykatës Speciale të Hagës, Ekaterina Trëndafilova, do të pritet me protestë në Prishtinë me datën 29 nëntor.

Protesta edhe kësaj radhe do të organizohet nga Partia Socialdemokrate. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj.

Ai ka thënë se nuk do ta lejojnë zhvillimin e kësaj vizite në kohën kur Gjykata Speciale, sipas tij, po i persekuton ish-luftëtarët e UÇK-së.

“Me datën 29 nëntor në ora 14:30 në hotel Sirius është paraparë të vie kryetarja e Gjykatës Speciale. Siç e dini çdo vizitë të saj PSD-ja e ka kundërshtuar duke u bazuar në parimin që kjo gjykatë është gjykatë e cila nuk respekton rendin kushtetuese e demokratik të Kosovës. Vepron jashtë tij, dhe simbolet e Kosovës nuk i ka fare. Ajo çka ne mundemi me thënë është që vizita e saj është vizitë për imazh, nuk ka ndodhur në historinë e Kosovës të ftohen mediat e shoqëria civile pa mjete përcjellëse. Ju nuk mund t’i keni kamerat, diktafonat, dhe lajmin si transmetohet e ka vendosur kjo Dhomë. Nuk është fare demokratike, nuk ka të bëj fare me llogaridhënie, por ka të bëj me shtyrje të agjendave”, tha Molliqaj, raporton Nacionale.

Ai ka përmendur edhe ndalesën e vizitave dhe telefonatave për ish-krerët e UÇK-së.

“Në anën tjetër përveç persekutimit, është intensifikuar persekutimi i padrejtë e arbitrar prej konfiskimit të telefonave të qytetarëve që kanë qenë pjesë e luftës, deri te bastisjet në mënyrë të paligjshme. Ajo që mundemi me thënë e që bëjmë thirrje kjo vizitë është e papranueshme, e patolerueshme, dhe zonja në fjalë është jo e mirëpritur në Kosovë. Nuk besojmë që mund të sillemi normalisht karshi një gjykate që nuk është normale. Kjo gjykatë i ka ndalur të drejtat që janë të garantuara, e drejta për vizitë dhe për komunikim me familjarët. I ka izoluar. Po i ndjekin politikisht, i ka izoluar nga bota e familja. Nuk dihen as arsyet e as shkaqet. Në këtë rrethanë të persekutimit të secilit luftëtar, ne kemi vendosur ta presim me protestë dhe të pamundësojmë këtë takim që pretendohet të mbahet. Ne do të jemi në protestë të mërkurën në orën 14:00. Për të pamundësuar e treguar se ajo nuk është e mirëseardhur, bëj thirrje që me asnjë çmim ajo mos të vjen”, tha ai.

Molliqaj kërkoi përkrahje nga të gjithë ish-luftëtarët por edhe deputetët që të dalin në protestë.

“Secili luftëtar duhet të jetë i gatshëm atë ditë bashkë me neve për ta parandaluar këtë takim, sepse parandalimi i këtij takimi është parandalimi i PR në kohën kur po ka persekutim. Secili mbështetës i luftës për liri e ka për obligim me mbrojt, duhet të jemi bashkë në protestë. Secili deputet i Kuvendit të Kosovës, e në veçanti ata që vijnë nga lufta e UÇK-së e nga partitë që kanë backround politik e ushtarak me UÇK-në, nuk ka asnjë justifik që të mos vjen në protestë. Të gjithë ata po shkojnë në vizita e po qesin fotografi, por e kanë obligim që të jenë aty me mbrojt një të drejtë për gjykim të lirë e të barabartë që nuk po e bën Gjykata Speciale”, tha ai më tutje.

Molliqaj foli edhe për takimin që e pati muaj më parë me ish-krerët e UÇK-së.

“Së pari është e vërtetë që kam pasur mospajtime me presidentin Thaçi shumicën e kohës, jemi pajtuar vetëm për ripërcaktimin e kufijve. Në vizitë atje kemi folur tema jopolitike për shkak të statusit që e kanë si të burgosur politik, por edhe kanë pasur mendime e vlerësime politike. Unë besoj që pozicioni i PSD-së nuk ndërlidhet as me afërsinë e as me kundërshtimin e Thaçit. Unë kam dallim të madh me Rexhep Selimin, por kjo nuk më bën mos me mbrojt luftën e UÇK-së. Kur e do lirinë, s’ki shansë mos me mbrojt UÇK-në”, deklaroi Molliqaj.

“Shumica e dëshmitarëve të Prokurorisë së Specializuar kanë qenë të Prokurorisë së Serbisë. E mbrojmë secilin që është në Hagë, përfshirë me Thaçin. Kemi kaluar jashtëzakonisht mirë, kanë qenë biseda shumë miqësore, shumë të ngrohta, na kanë ndikuar të dyja palëve, por të paktën neve sigurt. Dallimi mes neve e të tjerëve është që kemi vizituar, por unë besoj që nuk mundesh me vizitu Thaçin e mos me ia mbrojt kauzën UÇK-së sepse përndryshe je profiter. I ftoj të gjithë të jemi bashkë në protestë, për të protestuar e parandaluar një funksionalitet të Dhomave të Specializuara që janë jonormale”, përfundoi Dardan Molliqaj.

Të ngjashme