Lajme
“Kriza në popullsi duhet të shoqërohet me krizën në Qeveri, në mënyrë që populli të dalë nga kriza”, deklaratat e Kurtit që sot nuk po e sheh krizën
Demokracia
11:28 | 22 Dhjetor 2023

Share:

Qytetarët e Kosovës po jetojnë në krizë. Pagat e ulëta e çmimet e larta, po e bëjnë të papërballueshme jetën e tyre.

Kryeministri Kurti po provon ta zbusë krizën, duke dhënë lëmoshë prej 100 eurosh për disa kategori të qytetarëve, shkruan Demokracia.com.

Por, në nëntorin e vitit 2015, Albin Kurti thoshte se kriza në popullsi duhet të shoqërohet me krizën në Qeveri, në mënyrë që populli të dalë nga kriza.

“Kriza në popullsi duhet të shoqërohet me krizën në Qeveri dhe në sistem, në mënyrë që populli të dalë nga kriza. Nuk ka ndryshime progresive në Kosovë me fjalë. Në shtetin autoritar, në shtetin e kapur, nuk mjaftojnë dialogu e fjalët. Gjendja është tejet e keqe dhe ka shkuar shumë larg: po normalizohet ‘Zajednica’ e Serbisë në Kosovë. Bosnjëzimi po troket në derë të hapur. Fjalët s’kryejnë punë. Dialogu ynë është monolog. E monologu i tyre është plan dhune”, thoshte Albin Kurti, njeriu që e solli krizën dhe e fuqizoi Zajednicën edhe më shumë, duke e pranuar një draftstatut për themelimin e saj, me kompetenca ekzekutive.

Në këtë krizë ekonomike e politike, Kurti sot më nuk flet për pushtetarët e kënaqur dhe qytetarët e vuajtur.

”Janë disa gjëra në jetë që nuk mund t’i shohësh për shkak të lotëve, por janë edhe ca gjëra të tjera që mund t’i shikosh vetëm përmes lotëve. Në këtë kategori bën pjesë edhe Kosova jonë e dashur, ky vend i pasur e me popull të varfër, me pushtet të kënaqur e me qytetarë të vuajtur, me intelektualë të shitur e me rini pa perspektivë. Kosova mund të shihet vetëm nëpërmjet lotëve”, thoshte ai sa ishte në opozitë. /Demokracia.com/

Të ngjashme