Lajme
Krimet e luftës: Priten aktakuza të reja në mungesë, flet prokurorja Hajdari
Demokracia
17:25 | 11 Qershor 2023

Share:

Pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve ligjore të cilat mundësojnë edhe gjykimin në mungesë, janë ngritur deri më tash dy aktakuza ndaj serbëve të cilët dyshohet se kanë kryer krime të luftës në Kosovë.

Por, këto dy aktakuza nuk do të jenë të vetmet. Prokurorja Drita Hajdari në një prononcim për gazetën Nacionale ka bërë të ditur se janë duke planifikuar edhe ngritjen e disa aktakuzave të tjera, pasi kushtet ligjore janë plotësuar.

“Deri tani janë ngitur 2 aktakuza në mungesë. Tash e tutje procedimi i tyre varet nga gjykata. Planifikohet ngritja edhe e disa aktakuzave të tjera në mungesë, meqë janë përmbushur kushtet ligjore”, ka thënë Hajdari.

Kurse, Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare ka bërë të ditur se nuk i preferojnë gjykimet në mungesë. Por pasi ka filluar ngritja e aktakuzave, atëherë duhet të respekton të gjitha të drejtat e palëve në procedurë.

“FDHK nuk është në favor të gjykimeve në mungesë, por pasi që tani më janë bërë ndryshimet ligjore dhe ka filluar ngritja e aktakuzave të para në mungesë, gjykata të kujdeset që të respektohen të drejtat e palëve në procedurë ashtu siç e kërkojnë standardet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, ka thënë Alija.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur dy aktakuza në mungesë kundër të pandehurve Ç.A. dhe D.R. – të dyshuar për krime lufte në Kosovë.

Një gjë e tillë tashmë mundësohet me ndryshimet ligjore në Kosovë, dhe gjykimet në mungesë lejohen pasi të zbatohen disa kërkesa specifike dhe të dyshuarit nuk mund të gjenden.

Për aktakuzën e parë në mungesë, Prokuroria ka vlerësuar se prova se i akuzuari D.R si pjesëtar i forcave rezerë ushtarake, kishte dhunuar seksualisht një grua të nacionalitetit shqiptar.

“Prokuroria Speciale njofton se ndaj të akuzuarit D.R. ka siguruar prova se, si pjesëtarë i forcave rezervë ushtarake të Serbisë, në kohën e luftës në Kosovë, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare, gjatë një sulmi të gjerë dhe sistematik nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, kundër popullatës civile shqiptare në tërë territorin e Kosovës, duke ditur për ekzistimin e një sulmi të tillë, me përdorimin e dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore, ka kryer dhunim seksual ndaj gruas së nacionalitetit shqiptar, e cila pësoj lëndime fizike në trup si dhe trauma të rënda të përhershme psikike”, thuhet në njoftim.

Edhe aktakuza e dytë në mungesë, kishte të bënte me veprën penale të dhunimit.

“Prokuroria Speciale njofton se i pandehuri si pjesëtar i forcave rezervë policore të Serbisë, në bashkëkryerje me persona të tjerë, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare, me përdorimin e dhunës fizike dhe veprimeve të tjera çnjerëzore, ka kryer dhunim seksual ndaj mashkullit të nacionalitetit shqiptar. Gjithashtu, ju njoftojmë se kjo është aktakuzë e dytë në mungesë që ka të bëjë me dhunim gjatë luftës në Kosovë, e ngritur pasi që janë shterur të gjitha përpjekjet e prokurorisë për të siguruar pranin fizike të pandehurit në procedurë, andaj, Prokuroria Speciale ka propozuar që ndaj të njëjtit të mbahet gjykimi në mungesë”, thuhej në njoftim.

Rregullat për gjykimin në mungesë, do të vlejnë për të giitha veprat penale dhe jo vetëm për rastet e krimeve të luftës, me kusht që të akuzuarit të jenë prezent në seancën e parë dhe në shqyrtimin gjyqësor. Ndërsa për rastet e krimeve të luftës kjo nuk do të vlejë, pra gjykimi ndaj të akuzuarve për krime lufte do të zhvillohet edhe nëse ata fare nuk janë në shqyrtimin fillestar e atë gjyqësor.

Në nenin 303 të Projekt-Kodit të procedurës Penale është paraparë Gjykimi në mungesë me përmbushjen e disa kushteve të cilat duhet të plotësohen e pastaj të zhvillohet procedura në mungesë të të akuzuarit.

Sipas paragrafit 2.1 gjykimi në mungesë mund të zhvillohet kur i akuzuari ka qenë në shqyrtimin fillestar dhe i njëjti është njoftuar për datën e shqyrtimit gjyqësor nga Gjykata, por i njëjti nuk ka marrë pjesë në shqyrtim. Gjithashtu sipas të njëjtës pikë i akuzuari duhet të jet njoftuar se është i obliguar se duhet të merrë pjesë në shqyrtimin gjyqësor.

Gjithashtu në paragrafin 4 të të njëjtit nen thuhet se për të vendosur nëse do të mbajë gjykimin në mungesë të të akuzuarit, gjyqtari i vetëm gjykues ose kryetari i trupit gjykues mban seancë dëgjimore për të përcaktuar përse i akuzuari mungon dhe për të vlerësuar çdo sqarim apo dëshmi nëse i akuzuari ka vendosur vullnetarisht të mungojë në gjykim.

Të ngjashme