Lajme
Krerët opozitarë urojnë 33-vjetorin e Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut
Demokracia
11:00 | 02 Korrik 2023

Share:

Krerët opozitarë, Memli Krasniqi e Ramush Haradinaj kanë uruar 33-vjetorin e Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi për 33-vjetorin e Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut, ka thënë se është një prej akteve politiko-juridike më të rëndësishme në historinë e vendit tonë.

“Sot nderojmë të gjithë delegatët e guximshëm të popullit të Kosovës, të cilët me këtë deklaratë e shpallën Kosovën njësi të pavarur dhe të barabartë me të gjitha Republikat tjera të ish-Jugosllavisë, ndonëse ndërtesa e Kuvendit ku ata ishin mbledhur, ishte e rrethuar nga policia serbe”, ka shkruar Krasniqi.

Kreu i kësaj partie është shprehur se Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut ishte shprehje e aspiratave e popullit sshqiptar për liri, demokraci dhe pavarësi. “E cila i parapriu Kushtetutës së Kaçanikut, si dhe proceseve tjera në një rrugë të gjatë e plot sakrifica, që kulmoi me shpalljen e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran”.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut të vitit 1990, ishte vazhdimësi e përpjekjeve të shqiptarëve për liri, ndërsa si akt shënon pikënisjen e shtetësisë së Kosovës.

“Atë ditë, 111 delegatë edhe pse në kushte shtetrrethimi, legjitimuan vullnetin e popullit të Kosovës për pavarësi. Ata do të kujtohen dhe lartësohen nga brezat për përpjekjen e tyre për jetësimin e ëndrrës shekullore, shtetit të pavarur”, ka shkruar Haradinaj.

Sipas tij, deklarata e 2 korrikut 1990, ishte një gur në themelet e lirisë, e cila u jetësua disa vjet më pas nga trimat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ndërsa, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), për 33-vjetorin e kësaj deklarate ka thënë se e njëjta është gurthemel i shtetësisë së Kosovës, duke e konsideruar këtë si ngjarje të veçantë në rrugëtimin historik e politik drejt lirisë e pavarësisë së Kosovës.

“Kjo deklaratë kushtetuese ishte pikënisje dhe celula e parë e krijimit të synimeve të qarta për shtetësi e pavarësi, e cila vazhdoj edhe me Kushtetutën e Kaçanikut në shtatorin e të njëjtit vit. Lëvizja gjithëpopullore e Kosovës, e prirë nga Presidenti Historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, unifikoi popullin rreth kësaj kauze, vuri bazat juridike e institucionale të shtetësisë si dhe fitoi përkrahjen e botës demokratike. Këto përpjekje epike u pasuan nga lufta e çlirimtare e popullit të Kosovës dhe ndërhyrja e NATO-së, të cilat sollën përfundimisht lirinë në Kosovë”, shkruan LDK.

Tutje në këtë postim thuhet se Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut mbetet një moment kthese në rrugëtimin e vendit tonë.

Këtë të diel janë mbushur 33 vjet që kur delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës kanë miratuar Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut.

Në këtë ditë historike, Kosova është shpallur njësi e veçantë, në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave.

Deklarata e 2 Korrikut 1990 ishte akti që ka shënuar hapin historik institucional të pavarësimit të Kosovës, i cili është zhvilluar jashtë objektit të Parlamentit, në kushte të rrethimit nga forca të mëdha policore e ushtarake.

Deklaratën Kushtetuese mbi Kosovën si njësi të pavarur dhe të barabartë në kuadër të federatës apo konfederatës jugosllave e kanë shpallur në Prishtinë 111 delegatët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës.

Të ngjashme