Në fund të prillit, Kosova kaloi fazën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës me vendimin e Komitetit Ministror të organizatës që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare kërkesën e saj për anëtarësimin.
Pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Komitetit muajin e shkuar, një takim i rëndësishëm do të mbahet këtë muaj në kryeqytetin e Islandës, e cila udhëheq me Presidencën e Këshillit të Europës. Më 16-17 maj në do të mbahet samiti i krerëve të shteteve dhe qeverive të Këshillit të Evropës dhe kjo është hera e katërt në historinë 74-vjeçare të organizatës që liderët e shteteve anëtare takohen nën patronazhin e Këshillit.
Pas suksesit të Kosovës në kalimin e fazën së parë drejt anëtarësimit në organizatë u diskutua që tema e saj do të mund të jetë edhe në agjendën e takimit të këtij samiti. Por, në një përgjigje për Gazetën Express nga Presidenca islandeze thuhet se Kosova nuk do të jetë pjesë e agjendës.
“Samiti do të diskutojë për vlerat themelore të Këshillit të Evropës – të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit – si dhe llogaridhënien dhe mbështetjen për Ukrainën. Nuk parashihet diskutim për aplikimin e Kosovës për anëtarësim”, thuhet në përgjigje.
Hapja e rrugës për Kosovën drejt anëtarësimit në Këshill të Evropës u pa si një produkt i pajtimit të Kosovës për marrëveshje me Serbinë.
Sidoqoftë, edhe ecja më tutje e këtij procesi në Strasburg pritet të lidhet me mbarëvajtjen e dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel.
Por, proceduralisht KiE pritet të emërojë një raportues për çështjen e anëtarësimit të Kosovës I cili do të përgatit një raport -opinion të cilin do ta diskutojë Asambleja Parlamentare e më pas ta votojë anëtarësimin ose jo. Nuk dihet saktë sa do t’i duhet kohë Kosovës për t’u bërë pjesë e KiE.
Pas marrjes së vendimit nga Komiteti i Ministrave për ta përcjellë kërkesën e Kosovës, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, në deklaratën e tij pati thënë se pas liberalizimit të vizave dhe këtij akti nga KiE, Kosovën u afrua edhe më pranë familjes evropiane. Por, deri te anëtarësimi i plotë ka kërkuar zbatimin e marrëveshjes së Ohrit duke përfshirë edhe implementimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
”Urimet e mia për të gjithë kosovarët! Vazhdimi i zbatimit të Ohrit duke përfshirë Asociacionin është vendimtar për të ecur përpara .Pas vendimit të javës së kaluar për vizat, votimi i sotëm i Këshillit të Evropës për ta përcjellë aplikacionin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare e sjell vendin sërish më pranë familjes europiane”.
Rohde në këtë postim në Twitter pati treguar se vendi i tij kishte dhënë mbështetje të plotë në këtë hap për Kosovën.
Kryediplomatja Donika Gërvalla në kumtimin e lajmit për vendimin e Komitetit, pati thënë se ky hap është “historik” për Kosovën dhe një hap që çon drejt përmbylljes së procesit të anëtarësimit.
“Për shtetin tonë të ri, vendimi i sotëm përbën një hap historik, ndoshta më të rëndësishmin pas pavarësisë sonë. Me këtë vendim përmbyllet një etapë e rëndësishme drejt anëtarësimit të plotë”, shkroi Gërvalla në Facebook, duke shtuar se “mbetet edhe shumë punë për t’u bërë”.
Derisa presidentja e vendit, Vjosa Osmani, u shpreh optimiste se rezultati përfundimtar do të jetë në favor të Kosovës dhe këtë në një kohë të shkurtë.
“Flamuri i Republikës së Kosovës së shpejti do të valojë me krenari në mesin e anëtarëve të Këshillit të Evropës”, shkroi Osmani në Twitter.
Megjithatë, eksponentë nga opozita meritat për këtë sukses ia veshën aleatëve të Kosovës dhe diplomacisë së tyre.
“Falë diplomacisë së fuqishme gjermane në veçanti ky proces po ec në binarë të sigurt, përndryshe, nëse do varej nga ministria e jashtme e jona do të kolabonte qysh në start ky proces”, ka thënë nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ditë më parë.