Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje, sa ishin në opozitë ishin më të zëshmit për punësimet familjare e partiake.
Por, çdo gjë ndryshoi pas marrjes së pushtetit, shkruan Demokracia.com.
Albin Kurti që dikur thoshte se “familjarët e kushërinjtë janë për dasma, e jo me i shti në punë”, sot duket se i ka harruar zotimet prej opozitari.
Demokracia.com ka raportuar në vazhdimësi se si ministrat e deputetët i rehatuan në vend të rëndësishme pune të afërmit dhe familjarët.
Rasti më i freskët për të cilin raportoi Demorkacia.com është punësimi i Valbona Bislimit, motrës së zëvendëskryeministrit Besnik Bisilimi, si punonjëse e rregullt në Klinikën e Neonatologjisë në ShSKUK.
Motrën e punësoi edhe një ministër i Kurtit. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla e punësoi motrën e tij Magbule Hyseni, në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
E njëjta, është angazhuar në pozitën Zyrtare për Rrjetin Kombëtar Rural dhe partnerët e tjerë socialë për përgatitjen e Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural (PBZHR), në kuadër të Projektit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural.
Ky projekt implementohet nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe financohet nga kredia e Bankës Botërore.
Të dy këto institucione, Ministria e Bujqësisë dhe Banka Botërore e kishin konfirmuar punësimin e Magbule Hysenit në dikasterin e udhëhequr nga ministri Faton Peci, i emëruar nga kryeministri Albin Kurti.
Kur ishte pyetur në konferencë për media për punësimin e motrës, Sveçla i kishte thënë gazetares që të mos të merrej me “budallallëqe”.
Xhelal Sveçla pyetet për punësimin e motrës së tij: Mos u merrni me budallallëqe të tilla
Demokracia.com para pak ditëve raportoi që ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci e rekomandoi për bursë, djalin e deputetes së Vetëvendosjes, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.
E militantë të partisë së Albin Kurtit u punësuan edhe në Korporatën Energjetike të Kosovës.
Rreth 40 persona nga ata që u punësuan në Korporatën Energjetike të Kosovës kanë lidhje familjare me të tjerët që mbajnë pozita në këtë ndërmarrje, shumica e të cilëve janë të afërt me Lëvizjen Vetëvendosje.
Militantë të Partisë në pushtet u punësuan edhe në Shërbimin Korrektues të Kosovës.
Ardit Maraj, Albesjan Maxharraj, Lulzim Maraj, Veton Lajqi dhe Liridon Verbovci figurojnë në listën e publikuar nga SHKK-ja, derisa të njëjtit mësohet se janë përkrahës të Lëvizjes Vetëvendosje.
Veç kësaj, Demokracia.com mëson se disa prej tyre kanë qenë edhe komisionerë dhe vëzhgues të LVV-së në zgjedhjet e fundit.
Ardit Marajt në llogarinë e tij në Facebook i shihen edhe fotografi, ku vërehet dukshëm se është përkrahës i Lëvizjes Vetëvendosje.
Ai është edhe në listën e komisionerëve të LVV-së në zgjedhjet e fundit të siguruar nga Demokracia.com.
Liridon Verbovci, po ashtu, në zgjedhjet e fundit ka përkrahur LVV-në, ku ka publikuar edhe një fotografi me sloganin e kësaj partie nga zgjedhjet e 14 shkurtit, “Krejt dhe Drejt”, raporton Demokracia.com.
Demokracia.com ka raportua se dhe deputeti Sali Zyba e punësoi gruan e tij në Byronë e Sigurimeve të Kosovës.
Lista e të punësuarve është e gjatë. Edhe vet Albin Kurti e rehatoi balldeskën e vëllait të tij.
Edhe Bordet u mbushën plotë me anëtarë të Vetëvendosjes.
“Nuk do të ketë më anëtarë të bordeve me libreza të partive politike”, kjo ishte deklarata e Albin Kurtit para se të ulej në karrigen e kryeministrit. Sidoqoftë, me t’i fituar zgjedhjet e tetorit të vitit 2019, Kurti nisi t’i shpërblejë personat e afërt me partinë e tij me pozita të ndryshme, duke përfshirë edhe emërime nëpër borde.
Njëjtë siç kishte vepruar gjatë herës së parë kur u bë kryeministër, Kurti edhe kësaj here ka zgjedhur që nëpër borde t’i rehatojë njerëzit e afërt me Lëvizjen Vetëvendosje, raporton Demokracia.com.
Partia që gjatë gjithë kohës sa ishte në opozitë e kritikonte pushtetin për nepotizëm, sot i ka vendosur anëtarët e saj nëpër plot institucione, ministri e spitale.
Demokracia.com ka bërë një përmbledhje me disa prej personave të afërt me LVV-në, të cilët janë emëruar anëtarë të bordeve të ndryshme vetëm gjatë Qeverisë Kurti 2:
Të parën që Qeveria Kurti 2 e rehatoi në bord është Shkurte Aliu, motra e deputetit të LVV-së nga Gjilani, Luan Aliut.
Kjo e fundit, në maj të vitit 2021 ishte emëruar anëtare e Bordit të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Vendimi ishte marrë nga ministri Hajrulla Çeku.
Evetar Zeqiri është personi tjetër që përfitoi nga Qeveria Kurti 2. Ky i fundit, në qershor të vitit 2021, u emërua anëtar i Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike KRU “Prishtina”.
Ai është edhe vëllai i gruas apo miku i kandidatit për deputet nga LVV, Mentor Hysenit.
Evatar Zeqiri në mandatin e parë të Qeverisë Kurti ka qenë edhe kryesues i Bordit të Ujësjellësit KRU “Prishtina”.
Në janar të këtij viti, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka emëruar në Bordin e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj babanë e ish-kandidates për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, Sala Gashi-Loku.
Hazir Gashi në mbledhjen e 14 janarit ishte zgjedhur edhe zëvendëskryesues i këtij Bordi, raporton Demokracia.com.
Trepça është një ndërmarrje tjetër për të cilën Kurti flet shumë. Kështu, siç duket ai ka vendosur që në bordin e kësaj ndërmarrje ta emërojë një person të besuar të tij.
Më 2 shkurt të vitit 2022, Bujar Bilalli u zgjodh anëtar i Bordit të ri të Trepçës. Ky i fundit, kishte qenë kandidat i LVV-së për Asamble Komunale të Mitrovicës gjatë zgjedhjeve lokale në vitin 2013.
Bilalli asokohe renditej me numrin 17 në listën e Vetëvendosjes në garën për asamble dhe kishte marrë vetëm 81 vota.
Demokracia.com pak ditë më parë ka raportuar se edhe vajza e një aktivisti të LVV-së është propozuar për anëtare të bordit të KRPP-së nga kryeministri Albin Kurti.
Fidane Spahija-Gjikolli është vajza e aktivistit të LVV-së, Hidaverid Spahija. Ky i fundit është i afërt me kryeministrin Kurti, raporton Demokracia.com.
Madje, të dy janë parë bashkë edhe në një dasmë, aty ku supozohej sipas Kurtit ta kishin vendin familjarët.
Daja, tezja, halla | Vajza e anëtarit të LVV-së propozohet nga Kurti për anëtare të bordit në KRPP
Qeveria pak pasi mbushi Bordet e Ndërmarrjeve Publike, kishte bërë ndërhyrje edhe në universitetet e vendit.
Ish-kandidati për kryetar të Pejës dhe më pas kandidat për deputet nga LVV, Bashkim Nurboja, pak muaj pasi u zgjodh anëtar i Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës, filloi punën si profesor në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë.
Kurti ka bërë edhe kalkulime të tjera në këtë universitet. Merisha Kalaç Kaçamakoviç nga anëtare e bordit, ka kaluar si pjesë e stafit akademik të këtij universiteti.
Qeveria Kurti II kishte emëruar në Bordin e këtij universiteti kishte dërguar edhe bashkëshorten e Xhevdet Pozharit, analistit të afërt me Vetëvendosje dhe përkrahësin e zjarrtë të saj, Emine Abdyli Pozhari, raporton Demokracia.com.
Ndërkaq, edhe gjatë vitit 2020, kur u bë kryeministër për herë të parë, Kurti emëroi në borde persona të afërt me të, gjë të cilën e kishte pranuar edhe vetë.
Kurti kishte thënë se “ka bërë mirë” që i ka vendosur njerëzit e LVV-së aty, pasi sipas tij, kishte vetëm dy opsione: t’i vendoste ata nëpër borde ose të mos bënin asgjë për disa javë.