Intervista
Krasniqi nuk i përjashton protestat kundër Qeverisë Kurti: Është mjeti i fundit që do ta përdorim
Demokracia
08:14 | 08 Korrik 2023

Share:

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka paralajmëruar radikalizim të hapave të opozitës në raport me Qeverinë.

Nëse Qeveria Kurti nuk reflekton karshi kërkesave të aleatëve , Krasniqi ka bërë me dije se partia e tij do të ndërmarr hapa tjerë.

Në një intervistë për gazetën Nacionale, ai ka treguar se protesta është mjeti i fundit që do ta përdor partia më e madhe opozitare.

“Ka nevojë për të krijuar një lëvizje të gjithmbarshme popullore, e cila bëhet bashkë për të ndalur kursin e degradimit të mëtutjeshëm në të cilin është duke na dërguar ky kryeministër. Dhe PDK-ja do të luaj rolin kryesor në këtë drejtim. Andaj, nëse do të ketë përkeqëson, nëse do të ketë insistim për të shkuar tutje, nëse do të këtë shtuarje të sanksioneve ndaj Kosovës, padyshim që edhe veprimet tona do të jenë karshi dhe të barasvlershme në raport me gabimet apo veprime që do i ndërmarr kjo qeveri”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka bërë me dije se opsion janë edhe protestat kundër Qeverisë Kurti.

“Absolutisht nuk i përjashtoj protestat, por ato do të ishin një nga mjetet e fundit që do t`i zgjidhnim. Sepse mendoj se ka ende hapësirë që me mjete tjera demokratike të zgjidhim situatën. Që të dakorodohemi me një marrëveshje për zgjedhje të parakohshme”, është shprehur Krasniqi.

Krasniqi nuk ka dhënë detaje se kur do të mund të mbahej protesta e parë.

“Një organizim masiv për të shprehur kundërshtimin konfrontues të Albin Kurtit nuk është i pamundshëm”, është shprehur Krasniqi.

Të ngjashme