Lajme
KQZ: Kuvendi i Listës Serbe konform ligjit, LVV-ja nuk e paraqet çështjen e çregjistrimit dhe Radojçiqit nuk ia përmendin as emrin
Demokracia
19:16 | 14 Nëntor 2023

Share:

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka konstatuar sot se Kuvendi i Listës Serbe, i cili është mbajtur më 24 tetor 2023, ka qenë konform ligjit.

Por, e cuditshme ishte se asnjëri nga anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ nuk e paraqitën cështjen e çregjistrimit të Listës Serbe, pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zvecanit, ndonëse e kishin kritikuar shumë, shkruan Demokracia.com.

Drejtori i Zyrës për Regjistrim të Partive Politike, Besnik Buzhala, tha se pas shqyrtimit të dokumenteve të pranuara nga Lista Serbe, rezulton se zgjedhja e kryetarit, kryesisë dhe nënkryetarëve është në përputhje me Rregulloren për Regjistrimin dhe Funksionimin e Partive Politike dhe statutin e kësaj partie.

Ndërsa, Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje pyeti nëse janë marrë masa ndaj ish-nënkryetarit të kësaj partie, Millan Radojiçiqit.

“A ka ndonjë masë apo ndonjë përjashtim për shkak se e ka pranuar vetë se ka marrë pjesë në sulmet terroriste, nuk po dua t’i përmend emra, sepse dihet. Por, po dua të di nëse është shkarkuar për shkak të veprimeve kundër rendit kushtetues”, pyeti Kurteshi.

Megjithatë, për këtë nuk mori përgjigje nga Besnik Buzhala. Ai tha se për shkak të interesimit të madh nga mediet dhe numrit të madh të pjesëmarrësve, nuk janë dëgjuar të gjitha vendimet, por që është konstatuar se zgjedhja e kryesisë ka qenë konform ligjeve. /Demokracia.com/

Sami Kurteshi për Listën Serbe: S’mund ta shpallim organizatë terroriste dhe ta çregjistrojmë

Të ngjashme