Intervista
Sami Kurteshi për Listën Serbe: S’mund ta shpallim organizatë terroriste dhe ta çregjistrojmë
Demokracia
16:28 | 28 Shtator 2023

Share:

Milan Radojçiq, nënkryetar i Listës Serbe, doli se ishte organizator i sulmit terrorist mbi Policinë e Kosovës.

Nga sulmi i grupit të kryekriminelit të veriut mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Ndonëse u dëshmua me pamje se njeriu, i cili është në listën e zezë të SHBA-së dhe Britanisë, ishte organizator i sulmit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk mund të bëjë asgjë që partia, e cila faktikisht udhëhiqet nga Radojçiq të çregjistrohet, sepse nuk parashihet askund në Ligjin për Zgjedhjet në Kosovë.

Për këtë çështje, Demokracia.com ka kontaktuar me përfaqësuesin e Vetëvendosjes në KQZ, Sami Kurteshin.

Kurteshi ka thënë se një shqetësim të tillë e ka ngritur tash e sa kohë.

Ai thotë se personalisht mendon që ekzistojnë fakte të mjaftueshme që Lista Serbe është organizatë terroriste, por çregjistrimi i saj është problematik, sepse nuk parashihet në ligj.

“Janë dy gjëra të ndryshme. Një, mund ta shpall gjykata organizatë terroriste. Një veprim tjetër është çregjistrimi i partisë politike. Ajo pak është e përzime, jo kodi penal, jo përgjegjësia penale e personave juridik. Unë personalisht mendoj që Lista Serbe është organizatë terroriste, por nuk varet nga unë. E ki Rakiqin, Radojçiqin, që kanë qenë të involmum në ngjarjet e mëhershme e në të gjitha ngjarjet në veri. Shpallja organizatë terroriste dhe çregjistrimi janë dy gjëra të ndryshme”, tha Kurteshi për Demokracia.com.

Sipas tij, ai do ta ngris këtë shqetësim sërish në mbledhjet e KQZ-së.

“Ne mund të kërkojmë, por është çështje e gjykatës, sepse duhet ta konstatojë përgjegjësinë penale të subjektit politik dhe a është e vështirë, nuk mund të bëhet çregjistrimi, por parashihen dënime të ndryshme. Ato janë mandej e kemi Ligjin për Zgjedhjet, janë elemente të tjera që kanë të bëjnë me të dhënat me respektimin e afateve, ndryshimet statutore. Por, nuk është çështje krejt e thjeshtë. Nuk është bash ashtu. Organizatë terroriste mund të shpallet. Nuk është në kuadrin e normës penale, varet prej organeve të sigurisë si e konsiderojnë. Unë mundem me e ngrit si çështje dhe e kam ngrit edhe më herët, problem është se a ka ndonjë efekt sesa vetëm për zhurmë mediale e publike. Unë natyrisht se do ta ngris, jo vetëm unë, por edhe të tjerët”, u shpreh Kurteshi.

Në fillim të dhjetorit të vitit 2022, kur Kosova vendosi t’i shtyjë zgjedhjet në katër komunat veriore për shkak të situatës së brishtë të sigurisë, anëtari i VV-së në KQZ, Sami Kurteshi, kishte deklaruar publikisht se Lista Serbe me gjasë është organizatë terroriste. /Demokracia.com/

Të ngjashme