Lajme
KQZ-ja mund të mbetet pa kryetar, i emëruari i Vjosa Osmanit synon Gjykatën e Apelit
Demokracia
15:28 | 16 Mars 2022

Share:

Brenda muajit mars do të fillojë procesi i përzgjedhjes së kryetarëve të gjykatave: Gjykatës së Apelit, Gjykatës Komerciale, Gjykatës Themelore në Prizren dhe Gjykatës Themelore në Gjilan.

Kështu ka njoftuar të hënën Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJ), shkruan Demokracia.com.

“Procesi do të filloj brenda muajit mars dhe do të përfundoj gjatë muajit prill. Këshilli njofton se ka pasur vonesa në caktimin e intervistave për shkak se disa kandidatë për kryetar të gjykatave nuk e kanë pasur të përfunduar procesin e vlerësimit të performancës, procesi i cili tani është përfunduar, por KGJK njëkohësisht ka kërkuar opinion nga Agjencia kundër Korrupsionit (AKK) për disa kandidatë nëse potencialisht zgjedhja e tyre do të përbënte konflikt interesi”, ka njoftuar KGJK.

E në garë për kryetarin e Gjykatës së Apelit është edhe kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi.

Nëse Radoniqi do të zgjedhet në krye të kësaj gjykate, KQZ-ja do të mbetet pa kryesues.

Demokracia.com ka kontaktuar edhe me Radoniqin, i cili nuk ka dashur të përgjigjet për këtë çështje.

“Nuk po du mu përgjigj në asnjë pyetje lidhur me këtë. Nuk e kam ndërmend të jap këso përgjigjesh. Mund t’i drejtoheni Këshillit Gjyqësor për çkado që keni”, ka thënë Radoniqi për Demokracia.com.

Radoniqi u caktua në krye të KQZ-së pas shkarkimit nga ana e presidentes Osmani të kryetares së KQZ-së, Valdete Daka, i cili nga analistët ishte vlerësuar si vendim antikushtetues, por që rastin nuk e kishin dërguar në Gjykatën Kushtetuese as opozita.

Gjyqtari special i Gjykatës së Apelit, Kreshnik Radoniqi, u emërua në krye të KQZ-së në qershor të vitit 2021.

Gjyqtari Radoniqi ka qenë kryetar i Gjykatës së Pejës nga viti 2016, pozitë të cilën e kishte dorëzuar pasi ishte angazhuar gjyqtar në Departamentin Special në Gjykatën e Apelit. /Demokracia.com/

Të ngjashme