Lajme
KPK e quan tendencioze reagimin e shoqërive civile për procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit
Demokracia
16:26 | 25 Mars 2022
Ilustrim

Share:

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka reaguar ndaj raportit të një pjese të organizatave joqeveritare, përkitazi me procesin e zgjedhjes se Kryeprokurorit të ri të Shtetit, me titull “Integriteti i procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit”, i publikuar të enjtën në media.

Në reagim thuhet se KPK-ja, vlerëson se, procesi për zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Shtetit, që nga fillimi e deri në këtë fazë të intervistimit, ka qenë objektiv, jodiskriminues, transparent, gjithëpërfshirës dhe i bazuar plotësisht në meritokraci, përcjell Demokracia.com.

“Publikimi i konceptdokumenteve, intervistimi i kandidatëve në prani të përfaqësuesve të OJQ-ve dhe partnerëve ndërkombëtarë, xhirimi dhe transmetimi i të gjitha intervistave të kandidatëve përmes mediumit publik, Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), i cili mundësoi që secili qytetar të përcjellë këtë ngjarje të rëndësishme në sistemin e drejtësisë, padyshim, është dëshmia më e mirë që ky proces, siç e thekson edhe vetë raporti i kësaj pjese të shoqërisë civile, është një praktikë tepër pozitive dhe e pashembullt deri me tani në ndonjë institucion relevant, me ç’rast iu ka dhënë mundësia publikut, OJQ-ve dhe mediave që ta përcjellin drejtpërdrejt dhe në kohë reale ketë ngjarje për zgjedhjen e kandidatit për pozitën më të lartë në sistemin prokurorial.      Prandaj, tendencat dhe gjuha e përdorur nga një pjesë e shoqërisë civile, nuk është asgjë tjetër, përveçse tendencioze, e pabazuar dhe pa asnjë mbështetje ligjore, me prapavijë dhe në shërbim të atyre që kanë intencë të ndërhyjnë në pavarësinë e këtij institucioni të garantuar me Kushtetutë dhe ligjet në fuqi”, thuhet në reagim.

KPK e ka quajtur raportin e shoqërisë civile si paradoks në vetvete dhe tejet i pakuptueshëm është fakti kur i njëjti raport i këtij koalicioni të një pjese të OJQ-ve i paraqet si fajtorë për një proces të pavarur, të drejtë dhe të paanshëm, një Udhëzues, i cili ka të bëjë me aplikimin e Nenit 13 dhe 14-të të Rregullores për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive të Republikës së Kosovës dhe formularët mbi konceptdokumentet e kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit.

“Prandaj, kjo është përtej çdo orvatjeje për diskreditim dhe denigrim me çdo kusht të këtij procesi nga ana e disa qarqeve, të cilat nuk ia duan të mirën jo vetëm sistemit prokurorial, por tërë sistemit të drejtësisë, kur dihet se tërë hapat, nga fillimi e deri tek kjo fazë e intervistimit, janë ndërmarrë në plotëni me partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët kanë mbështetur gjithmonë sistemin prokurorial”, thuhet në reagim.

Krejt në fund, KPK-ja kërkon edhe nga përfaqësuesit politikë të institucioneve të ndryshme që të respektojnë pavarësinë e pushtetit prokurorial dhe të përmbahen nga çfarëdolloj deklaratash politike, të cilat do të vlerësoheshin si ndërhyrje në këtë proces të zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit./Demokracia.com/

Të ngjashme