Lajme
Kosovën s’e izolon veç BE-ja, por edhe Qeveria Kurti: Më së paku raste aktive në rajon, por me orë policore
Demokracia
20:53 | 21 Janar 2022

Share:

Kosova është i vetmi shtet në rajon ku qytetarëve u kufizohet lëvizja nga ora 22:00 deri në 05:00 të mëngjesit. Përveç Shqipërisë, e cila e ka orën policore nga 23:00 deri në 06:00, të gjitha vendet tjera që kufizohen me shtetin kosovar e kanë larguar këtë masë, pasi po konsiderohet si joefektive.

Kosova i ka punët më së miri në rajon sa i përket numrit të rasteve pozitive me Covid-19. Aktualisht, në vend janë 12 mijë 396 raste aktive, raporton Demokracia.com.

Por, sot Qeveria mori vendim për masa të reja anti-Covid, gjë e cila ka sjellë reagime të ashpra në opinionin publik për shkak të vendosjes së orës policore dhe mbylljes së kafiterive nga ora 21:00.

Shumë qytetarë janë shprehur se ora policore nuk është e nevojshme, pasi nuk sjellë efektivitet, ndërkaq pronarët e lokaleve të gastronomisë janë të shqetësuar, pasi po kanë shumë humbje.

Momentalisht në vend nuk ka subvencione sektoriale nga Qeveria për asnjë kategori, duke përfshirë këtu as gastronominë, si sektori më i prekur nga pandemia.

Megjithatë, kjo nuk po e ndalon Qeverinë e Kosovës që t’ua kufizojë punën atyre.

Sa i përket shteteve të tjera, Shqipëria i ka punët me keq se Kosova me Covid-19. Aktualisht në shtetin shqiptar janë 23 mijë e 593 raste aktive.

Megjithatë, ora policore në këtë vend fillon nga 23:00 deri në 06:00, ndërkaq nuk ka kufizime në punën e gastronomisë, raporton Demokracia.com.

Po ashtu, qytetarët që hyjnë në Shqipëri, nga të gjitha pikat kufitare apo ata që kalojnë tranzit, duhet të vijojnë të dorëzojnë pasaportë vaksinimi, ku data e vaksinës së fundit të ketë të paktën dy javë e aplikuar nga data e hyrjes në kufi ose test PCR të kryer brenda 72 orëve.

Në fuqi vazhdon të mbetet edhe urdhri për përdorimin e maskave në ambiente të mbyllura, në qendra tregtare, supermarkete dhe në dyqane, si dhe urdhri për lejimin e grumbullimeve deri në 50 persona dhe të aktiviteteve kulturore, sportive deri në 30 për qind të kapaciteteve me prezencë të spektatorëve.

Edhe Maqedonia e Veriut po shënon shifra të larta me Covid-19. Në shtetin me të cilin kufizohet Kosova janë 19 mijë e 714 raste aktive.

Megjithatë, për maqedonasit nuk ka orë policore dhe shtetasit e këtij vendi janë të lirë që të dalin kur të duan. As në gastronomi nuk ka kufizime, pasi që puna lejohet, por vetëm në 50 për qind të kapacitetit të hapësirës.

Po ashtu kërkohet certifikatë/vërtetim për imunizim (vaksinim) të kryer të virusit SARS-CoV-2, gjegjësisht marrjen e dy dozave të të vaksinës kundër Covid-19, ose në rastin tjetër duhet certifikatë /vërtetim që e keni kaluar Covid-19 në 45 ditët e fundit, duke llogaritur nga dita e shërimit.

Mali i Zi, që ka dukshëm më pak banorë se Kosova, aktualisht i ka 10 mijë e 545 raste me Covid-19 dhe gjendet në një situatë jo aq të mirë sa i përket pandemisë.

Sidoqoftë, masat në këtë vend nuk po ndryshojnë. Për më tepër banorëve nuk po u kufizohet as lëvizja.

Para se të niseni drejt vendit fqinj duhet të keni parasysh që për të kaluar kufirin duhet të jeni të pajisur me certifikatë vaksinimi të plotë me numrin e duhur të dozave dhe që nga doza e dytë nuk duhen të kenë kaluar më shumë se gjashtë muaj.

Po ashtu, lejohet kalimi në kufi nëse keni vërtetim që e keni kaluar Covid-19, jo më pak se 10 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë nga testi pozitiv.

Në të dyja rastet e mësipërme qytetarët duhet të kenë patjetër ose testin negativ PCR jo më të vjetër se 72 orë, ose testin e shpejtë Antigen jo më të vjetër se 48 orë.

Serbia po e përjeton më së rëndi në rajon pandeminë Covid-19.

Sidoqoftë, gastronomia në Serbi operon deri në orën 01:00, po ashtu lejohet edhe muzika. Të gjitha dyqanet janë të hapura, 24 orë për shtatë ditë të javës.

Ky shtet nuk e ka të vendosur as orën policore.

Nuk dihet se pse Qeveria e Kosovës po vazhdon orën policore, duke marrë parasysh se në shumë raste është treguar se kjo masë nuk jep efekt.

Disa shtete në Evropë e kanë larguar, duke u lejuar kështu qytetarëve lëvizjen, pasi që mbyllja totale përveç që ka shkaktuar humbje ekonomike, ka sjellë edhe probleme me shëndetin mendor tek shumë qytetarë./Demokracia.com/

Reagon kryetari i gastronomëve: Vendim i papranueshëm, Qeveria po na rrëzon përtokë

Të ngjashme