Lajme
“Kosova po bëhet siç deshi Serbia” | Pasi e pranoi, Albin Kurtit i rikujtohet çfarë thoshte për Zajednicën
Demokracia
16:32 | 27 Tetor 2023

Share:

Pas dhjetë vjetësh betejë, Albin Kurti si kundërshtari më i madh, u dorëzua dhe e pranoi krijimin e Asociacionit, që ai e quante Zajednicë.

Kurti tashmë e ka pranuar draftin e propozuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe përmes një deklarate, pas takimit është shprehur i gatshëm edhe ta nënshkruajë pranimin e draftit, deri sa presidenti serb Aleksandër Vuçiq në një deklarim para gazetarëve ka thënë se edhe Serbia është pro atij drafti të propozuar nga pesëshja e top-diplomatëve që vizituan Prishtinën dhe Beogradin më 21 tetor.

Por, Albin Kurti, i cili dogji institucionet e shtetit dhe Kuvendin e Kosovës e bëri arenë të hedhjes së gazit lotsjellës, duke gjymtuar policë në protestat e kundërshtimit të Zajednicës, tani vetë e ka pranuar.

Kurti e solli veten në pikën që me dorën e tij të pranojë ta nënshkruajë Zajednicën, shkruan Demokracia.com.

Në një tribunë të organizuar nga Vetëvendosje për ta kundërshtuar Zajednicën, Albin Kurti thoshte se “Kosova po bëhet siç deshi Serbia”.

Në këtë tubim, ai kishte folur gjatë mbi situatën e krijuar, duke kritikuar ashpër qeverinë e atëhershme, të cilën e fajësonte për pranimin e Asociacionit të Komunave Serbe, i cili nuk ishte themeluar.

Sipas Kurtit, “Zajednica” është rezultat i dialogut të Qeverisë së Kosovës pa kushte me Serbinë për çështje të brendshme të saj.

“Ka trysni që Kosova fillimisht ta pranojë Gjykatën Speciale e tash edhe ‘Zajednicën’ e Serbisë brenda territorit të saj. ‘Zajednica’ është një parashtet paralel i krijuar prej strukturave paralele të Serbisë dhe ky është rezultati i dialogut pa kushte me Serbinë për çështje të brendshme të Kosovës, dialog ky i cili nuk integron serbët në Kosovë, por i integron strukturat e Serbisë në ‘Zajednicë’”, thoshte Kurti.

Kurti thoshte se Kosova me ‘Zajednicën’ nuk është e pavarur dhe tashmë po bëhet ajo që gjithnjë ka dashur Serbia.

“‘Zajednica’ është më shumë se kanton, më shumë se shumësi kantonesh, tash për tash është më pak se shtet, mirëpo edhe Kosova po bëhet siç e deshi Serbia, më shumë se autonomi, më pak se pavarësi. Republika e Kosovës me ‘Zajednicë’ nuk është e pavarur”, thoshte Kurti. /Demokracia.com/

Të ngjashme