Lajme
Kosova, notë verbale Malit të Zi për incidentin në autobus
Demokracia
16:23 | 18 Shkurt 2021

Share:

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla e ka dënuar ashpër incidentin e djeshëm në Berane të Malit të Zi, ku një autobus nga Kosova është gjuajtur me gurë.

Gjatë së mërkuërs një autobus me turistë kosovarë është sulmuar me gurë në Mal të Zi teksa po ktheheshin nga Kolashini për në Kosovë, shkruan Demokraica.com.

Pas këtij incidenti ka reaguar ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, e cila ka dënuar ashpër këtë incident i cili ka ndodhur në Berane.

Haradinaj-Stublla ka kërkuar sqarim të plotë të rrethanave të këtij incidenti, duke theksuar se incidente si këto ngjallin frikë.

Siç bëhet e ditur në njoftimin e MPJD-së, incidenti i befasishëm ka ndodhur në afërsi të një kthese në hyrje të Berane, të mërkurën, rreth orës 16:30, në ditën e shënimit të 13-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Haradinaj-Stublla është shprehur se ky incident ka mbjellë frikë për qarkullimin e lirë të qytetarëve ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, dhe se Kosova nuk do ta lejojë minimin e drejtimit euro-atlantik të rajonit, nga këto incidente të mbjella nga lufta hibride kundër anëtarëve dhe aleatëve të NATO-s në rajon.

“Si rajon ne jemi përcaktuar për integrim euro-atlantik dhe Kosova  nuk do të lejojë asnjë zbrazëti për minim të kësaj përpjekjeje nga lufta hibride që po bëhet ndaj shteteve anëtare dhe aleatëve të NATO-s në Ballkanin Perëndimor”, është shprehur Haradinaj-Stublla.

Tutje Haradinaj-Stublla i ka bërë thirrje edhe autoriteteve malazeze që të ruajnë marrëdhëniet e shkëlqyera midis Kosovës e Malit të Zi.

“I bëj thirrje autoriteteve të Malit të Zi që të ruajnë marrëdhëniet e shkëlqyera të kultivuara mes vendeve tona në vitet e fundit, duke marrë parasysh edhe rolin e rëndësinë e lartë të komunitetit shqiptar në Mal të Zi”, citohet të ketë thënë Haradinaj-Stublla.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka kërkuar nga autoritetet malazeze sqarim të plotë të këtij incidenti, i cili nuk është në frymën e fqinjësisë së mirë e rrugës së pa alternativë të të dyja shteteve për integrim euro-atlantik.

Ambasada e Kosovës në Podgoricë, menjëherë pas incidentit, përmes një note verbale drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Malit të Zi, ka kërkuar shpjegim në lidhje me incidentin në Berane. Po ashtu, ka kontaktuar edhe pronarin e kompanisë turistike, Xhafer Berisha. /Demorkacia.com/

LEXO EDHE:

Kosovarët sulmohen në Mal të Zi

Të ngjashme