Lajme
Kosova në izolim të thellë – as njohje, as vizita të krerëve të shteteve mike
Demokracia
15:13 | 20 Janar 2022

Share:

Kosova, ndonëse me shumë çështje të hapura, në të kaluarën ishte gjithmonë nikoqire e krerëve të shteteve botërore, emisarëve dhe kryediplomatëve të shumtë. Tani jo vetëm që është përkeqësuar pozicioni i vendit në rrafshin e jashtëm, ku Kosova ka mbetur pa asnjë njohje të re shtetërore dhe është pjesë e dialogut për arritjen e marrëveshjes përfundimtare për njohje reciproke me Serbinë, por ka kohë që po injorohet edhe prej emisarëve të huaj.

Zëvendësndihmës-Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, njëherësh i dërguari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i ka vizituar shtetet e rajonit, por ende nuk ka ardhur në Kosovë. Ditë më parë në Shqipëri ishte edhe presidenti i Turqisë, por ndonëse është shumë pak orë larg, ai as nuk e vazhdojë vizitën e tij në Kosovë, por as nuk u ftua askush prej lidershipit të ri të Kosovës në Tiranë. Erdogan, një ditë më pas priti në Turqi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Pas vizitës së Erdoganit në Tiranë, atje shkoi edhe ministrja e Gjermanisë për Evropën dhe Klimën, Anna Luhrmann, e cila dha mesazhe të qarta për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, as ministrja gjermane nuk e mori mundin ta vizitonte Kosovën, raporton Demokracia.com.

Identifikimi, ndërtimi dhe mirëmbajtja e raporteve kualitative në marrëdhëniet ndërkombëtare, sipas analistëve, janë procese që kërkojnë investime të vazhdueshme institucionale.

Me kohë, sipas analistit Artan Muhaxhiri, ndryshimet e interesave ndikojnë edhe në ndryshimet e pozicioneve shtetërore, prandaj është e domosdoshme që të kërkohen modalitete kreative për t’i zgjeruar horizontet e bashkëpunimeve.

“Për shkak të kontekstit specifik në të cilin gjendet Kosova, fuqizimi i mëtejmë i aleancave të rëndësishme është jetik për stabilizimin e themeleve të shtetit. Niveli aktual i prezantimit ndërkombëtar të Kosovës është i pakënaqshëm. Nuk ka vizita të frytshme nëpër qendrat vendimmarrëse globale, e as ndonjë strategji për fuqizimin e kuadrove dhe të logjistikës në sistemin e ambasadave tona. Përveç liderëve rajonalë, s’ka pasur vizita të udhëheqësve të shteteve të rëndësishme që do të shndërroheshin në lajme të mediave ndërkombëtare. Mungesat e këtilla janë të dëmshme dhe nënkuptojnë shumë indikatorë që kanë të bëjnë me planifikimet afatgjate gjeopolitike për rajonin tonë”, ka thënë Muhaxhiri për Demokracia.com.

Për fat të keq, sipas Muhaxhirit, bllokimi i tashëm i dialogut në Bruksel do të mund të interpretohet si mungesë e vullnetit prej lidershipit kosovar për të ofruar alternativa ndaj mospranimit të marrëveshjeve nga e kaluara.

“Rrjedhimisht, kjo gjendje krijon probleme shumështresore në relacionet ndërkombëtare dhe ndikon në komplikimin e mëtutjeshëm të perspektivave”, ka thënë analisti Artan Muhaxhiri për Demokracia.com.

Ndërsa, njohësi tjetër i politikës së jashtme, analisti Artan Behrami, ka thënë se Kosova si asnjëherë më parë është e izoluar nga brenda, por edhe nga jashtë.

“Kanë kaluar pothuajse një vit që krerët e shtetit të Kosovës nuk kanë pasur asnjë takim të nivelit të lartë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleatin përcaktues për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Kështu, për herë të parë është thyer një traditë që është krijuar në 20 vjetët e fundit. Diplomacia e Kosovës është shndërruar dhe reduktuar në politikë të brendshme. Kjo do të sjellë pasoja të pariparueshme për Kosovën. Të gjitha sukseset që i kemi arritur, kanë qenë suksese të përbashkëta me aleatët tanë strategjikë. Qasja e kryeministrit Kurti ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës është e frikshme. Ai është duke refuzuar çdo këshillë të tyre, çdo sugjerim të tyre. E refuzoi Marrëveshjen e Uashingtonit, e refuzoi kompaninë Contour Global, e refuzoi gazin amerikan. Tani përpara e ka një letër të sekretarit Blinken, të cilën jam i bindur se po ashtu do ta refuzojë. Fatkeqësisht, qytetarët e Kosovës shumë shpejt do t’i vuajnë pasojat e një politike defatiste dhe fataliste të kryeministrit Kurti”, ka thënë Behrami.

Ndonëse nuk është konfirmuar zyrtarisht, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak, së bashku me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pritet ta vizitojnë Kosovën në fillim të muajt shkurt, në kuadër të përpjekjeve për të organizuar takime të reja për vazhdimin e dialogut në Bruksel. /Demokracia.com/

Të ngjashme