Lajme
Kosova mbetet e izoluar nga projekti amerikano-evropian i gazit të lëngshëm, Serbia dhe Maqedonia janë aty
Demokracia
16:41 | 03 Maj 2022

Share:

Kreu i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka reaguar lidhur me përurimin e terminalit të gazit të lëngshëm që ka ndodhur sot në Greqi, e ku i pranishëm ka qenë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Murati ka kritikuar udhëheqësit e Kosovës, duke thënë se janë hedhur në sulm për të bindur botën se kush është Vuçiqi derisa ky i fundit po merr pjesë në përurimin e terminalit të LNG-së në Greqi, projekt amerikano-evropian.

Kreu i LB-së ka thënë se Kosova jo vetëm që ka munguar por edhe “në mënyrë të papërgjegjshme ka refuzuar një projekt të tillë”, shkruan Demokracia.com.

“Janë disa projekte strategjike të cilat nuk kanë çmim dhe as nuk maten me studime fizibiliteti. Një i tillë është projekti amerikan i gazit të lëngshëm natyror (LNG), thelbësor për diversifikimin e burimeve të energjisë në Evropë. Sot u bë përurimi i terminalit të LNG-së në portin grek të Alexandropolit, investim ky amerikan dhe i BE-së. Përderisa udhëheqësit e Kosovës janë hedhur në ofensivë për të “bindur” botën kush është Vuçiqi, e kush Putini dhe cila është lidhja në mes të tyre, ky i pari sot ishte prezent në përurimin e terminalit në Greqi. Kosova, jo vetëm që po mungon, por në mënyrë krejt të papërgjegjshme qeveria jonë refuzoi të jetë pjesë e këtij projekti. Kjo vërtetë është diplomaci shumë e hollë!!!”, ka shkruar Murati.

Pjesë e këtij projekti përveç Serbisë, janë edhe Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria.

Mbështetës i projektit është edhe Bashkimi Evropian. Presidenti i Këshillit të Evropës, Charles Michel sot ka marrë pjesë në ceremoninë e fillimit të punimeve të këtij terminali. /Demokracia.com/

Vuçiq në Greqi në përurimin e terminalit të gazit të lëngshëm, projekt që sfidon Rusinë

 

Të ngjashme