Lajme
Kosova e rrezikuar nga fatkeqësitë natyrore| Institucionet të papërgatitura, komunat kërkojnë Fond Emergjent
Demokracia
12:05 | 02 Korrik 2023
Ilustrim

Share:

Kur flasim për fatkeqësitë natyrore, Kosova kanoset më së shumti nga vërshimet, tërmetet dhe zjarret e pyjeve. Mirëpo, siç thotë drejtori ekzekutiv i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC), Tahir Ahmeti, nuk duhet neglizhuar as ortekët e borës e erërat e forta.

Ai për Ekonomia Online, ka dhënë disa rekomandime, për qytetarë e institucione, se si duhet të përgatiten para këtyre fatkeqësive.

Për vërshimet e javës së kaluar në Pejë, të cilat përveç dëmeve materiale, lanë të vdekur dy persona, Ahmeti ka fajësuar mbylljen e përroskave dhe lumenjve.

Institucionet, siç thotë ai, për t’i parandaluar vërshimet e ardhshme, do të duhej t’i pastronin përroskat, lumenjtë, pusetat e ujëmbledhësit.

Ndërsa, për qytetarët, Ahmeti thotë se duhet një edukim e vetëdijesim më i madh, qoftë për përgatitje, qoftë për mbrojtje. Ai ka bërë thirrje që mos të hedhen mbeturina në lumenj e përroska.

“Kosova si shtet, sipas edhe disa organizatave ndërkombëtare që kanë bërë studime, kanoset kryesisht nga tri fatkeqësi natyrore më së shumti, vërshimet, tërmetet dhe zjarret pyjore. Por, kjo nuk do të thotë se duhet neglizhuar fatkeqësitë e tjera natyrore si ortekët e borës, pastaj erërat e forta që fryjnë në Kosovë. Vërshimet godisin rajone të caktuara, largohen shpejt, mirëpo shkaktojnë dëme. Por, ç’është më e keqja, ato e rrezikojnë edhe jetën, siç e patëm qytetin e Pejës ku fatkeqësisht i patëm viktima dy qytetarë të Kosovës”.

“Si shkaktarë të mundshëm të këtyre vërshimeve, në vendet rurale por edhe në ato urbane, janë zakonisht mbyllja e përroskave apo e lumenjve të cilët mbyllen qoftë për shkak të hedhjes së mbeturinave të qytetarëve, qoftë për shkak të mospastrimit të tyre nga institucionet. Në vendet urbane zakonisht bëhen për shkak të infrastrukturës së dobët nëntokësore, ujësjellësi dhe kanalizimi të stërngarkuar”, u shpreh Ahmeti.

Ai tha se përveç dëmeve materiale, po rrezikohet edhe jeta e qytetarëve, të cilët i konsideron të pa informuar për fatkeqësitë natyrore.

“Institucionet nuk mund t’i parashikojnë vërshimet, mirëpo ata mund të punojnë që kur kemi shira më të dendur, të pastrohen përroskat, lumenjtë. Nëpër vendet urbane të pastrohen pusetat apo ujëmbledhësit, që në të shumtën e rasteve janë të mbyllura. Qytetarët të vetëdijësohen qoftë me fushata vetëdijesuese apo ndëshkuese, që të mos hedhin mbeturina në lumenj apo përroska sepse ato po mbyllen dhe uji po del nga shtrati dhe po verdhohet. Përveç dëmeve që po shkaktohen, po rrezikohet edhe jeta e qytetarëve”.

“Siç po shihet ata janë pak të informuar me fatkeqësi natyrore, duhet një informim më i gjerë shoqëror qoftë për vërshimet, qoftë për tërmetet, qoftë për zjarret e ndryshme…që ata të dinë edhe për rreziqet, por edhe për ndonjë masë mbrojtëse. Qytetarët duhet ta dinë që kur Instituti Meterologjik paralajmëron që mund të kemi të reshura më të mëdha, mund të kemi edhe vërshime”.

Ahmeti tha se reaguesit e parë pas këtyre fatkeqësive janë Policia, zjarrfikësit dhe shërbimet mjekësore emergjente. Për numrin e zjarrfikësve, ai konsideron se ka mungesë të tyre e se as pajisjet nuk i kanë në nivelin e duhur.

“Institucionet shtetërore gjithmonë duhet të jenë të përgatitura në mënyrë që nëse kemi ndonjë fatkeqësi natyrore të përmasave më të mëdha të jenë të gatshëm që t’u dalin në ndihmë qytetarëve në mënyrë të plotë, efikase dhe profesionale. Reaguesit e parë në rast të fatkeqësive natyrore janë zjarrfikësit e Kosovës, Policia e Kosovës dhe shërbimet mjekësore emergjente. Ekziston mungesë e stafit të zjarrfikësve dhe gjithashtu mjetet e pajisjet nuk janë të nivelit që do duhej të ishin për këto intervenime”.

E kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, tha për Ekonomia Online, se do të duhej të formohej Fondi Emergjent për Komuna.

Ibrahimi thotë se për shkak të “burokracisë së tepruar”, qytetarët e prekur nga fatkeqësitë natyrore, nuk po kompensohen edhe pas disa muajsh, duke përmendur si rast konkret, komunën e Rahovecit.

“Ne si asociacion edhe më herët kemi kërkuar një Fond Emergjent për Komuna. Kur kemi dukuri të tilla, institucionet e Republikës së Kosovës, edhe autoritetet lokale e jo vetëm institucionet qendrore, t’u dalin në ndihmë qytetarëve të komunave përkatëse sa më shpejt”.

“Me këtë burokraci e cila është e paraparë me legjislacionin në fuqi, qytetarët e prekur nga vërshimet e muajit janar të këtij viti ende nuk kanë marrë ndonjë propozim nga niveli qendror dhe kjo është për të ardhur keq. Në bazë të informatave që kemi, në bazë të komunikimeve ditore që kemi me kryetarët, del që bujqit nuk janë kompensuar për dëmet e shkaktuara nga reshjet e vitit të kaluar, në veçanti në komunën e Rahovecit, ku kryetari Smajl Latifi e ka ngritur këtë shqetësim”.

“Si asociacion kërkojmë që këto politika shtetërore të ndryshohen. Kështu do të eliminohej burokracia që listat e të dëmtuarve së pari të aprovohen në kuvendin komunal, pastaj në Agjencinë për Emergjenca, prej Agjencisë për Emergjenca në komisionin vlerësues. Kemi burokraci të tepruar dhe për shkak të kësaj burokracie të tepruar”.

Ibrahimi shtoi se edhe legjislacioni, i cili përcakton veprimet në raste emergjencash, duhet të ndryshohet. Sipas tij, faji nuk qëndron tek niveli lokal, por tek ai qendror.

“E dyta është amandamentimi i legjislacionit i cili po krijon këso lloj burokracie që dora e shtetit të mos ndihet te qytetari. Komunat nuk kanë kapacitet financiare që të mbulojnë dëmet e shkaktuara nga vërshimet apo nga fenomenet natyrore sepse kjo përkrahje është e centralizuar, pra niveli qendror e ka këtë të drejtë. Komunat në bazë të legjislacionit në fuqi e kanë obligim ligjor që vetëm t’i mbajnë shënime sa i përket dëmeve të shkaktuara në ekonomi familjare, në bujqësi, në infrastrukturë dhe pastaj të procedojnë për nivel qendror”.

“Faji nuk është i nivelit lokal assesi, është i nivelit qendror i cili për shkak të burokracive ligjore nuk po ka mundësi t’i kompensojë dëmet materiale të shkaktuara nga reshjet e muajit janar dhe gjithashtu të vitit të kaluar për bujqit e paramendoni tash për fatkeqësinë që ndodhi në Pejë”.

 

Të ngjashme