Lajme
Shkrimtari Izraelit për Demokracia.com: Kosova dhe Izraeli duke bashkëpunuar mund të bëhen shembull për botën
Demokracia
11:14 | 01 Shkurt 2021

Share:

Eldad Beck, shkrimtar dhe gazetar i “Israel Hayom”, në ditën kur Kosova dhe Izraeli do të vënë marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve, shprehet se “rëndësia e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike me Kosovën, për Izraelin dhe për Jerusalemin para së gjithash ka dimension historik”.

“Në vitet e fundit, rrëfimi se si shqiptarët i kanë shpëtuar hebrenjtë gjatë okupimit gjerman në Luftën e Dytë Botërore është dëgjuar në tërë botën, pra edhe në Izrael. Fakti që një vend me shumicë myslimane u ngrit kundër së keqes gjermane dhe mbrojti hebrenjtë është gjë e rrallë, në Europë dhe në botën islame”, shprehet Beck dhe thotë se “Izraeli si shtet i hebrenjve tani mund të mbështesë zyrtarisht popullin e Kosovës”.

Deri tani, Izraeli nuk e ka bërë këtë nga konsiderata për implikimet politike që ky hap mund të ketë në konfliktin arabo-izraelit.

“Megjithatë, momenti që e kemi dëshiruar të gjithë më në fund arriti”, shprehet Beck.

(Intervistë me gazetarin Eldad Beck, në prag të vënies së marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit)

Duke analizuar të ardhmen e bashkëpunimit në mes të Izraelit dhe Kosovës, Beck shprehet se “Kosova gjendet në qendër të Ballkanit dhe ka potencial ekonomik të madh. Izraeli ka kapacitete të avancuara në shumë fusha dhe mund të ndihmojë zhvillimin ekonomik të Kosovës”.

“Duke bërë bashkë forcat tona, burimet dhe kapacitetet, mund të arrijmë shumë”, ka thënë ai.

Duke folur për synimin e përbashkët të Kosovës dhe Izraelit për të arritur paqe të qëndrueshme dhe të përhershme me fqinjët, Beck shprehet “në luftën e gjatë të Izraelit për të arritur paqe të qëndrueshme mund të nxirret një mësim kryesor: duhet të dish se prej nga vjen dhe ku do të arrish, duhet të besosh në atë se çfarë është me të drejtë e jotja dhe të bindësh të gjithë për këtë; duhet të bindësh fqinjët se edhe ata do të kenë dobi nëse bashkëpunojnë me ty, në vend se të shpenzojnë kohë, energji, resurse duke të luftuar ty”.

“Kosova dhe Izraeli, duke bashkëpunuar, mund të bëhen shembull për të gjithë”, thotë Beck. “Në këtë ditë të lumtur ju them urime dhe Mazal Tov”, thotë ai./Demokracia

Të ngjashme