Lajme
Kosova dhe Arabia Saudite nënshkruajnë marrëveshje për lirim nga viziat për pasaporta diplomatike dhe ato zyrtare
Demokracia
13:56 | 09 Janar 2024

Share:

Këtë të marte është nënshkruar marrëveshja mes Kosovës dhe Arabisë Saudite për lirim nga vizat për pasaportat diplomatike dhe ato zyrtare.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate për media nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ku kanë bërë të ditur se nënshkrimi i kësaj marrëveshje është bërë nga zëvendësministri i MPJD-së, Kreshnik Ahmeti, me homologun e tij nga Arabia Saudite, Waleed Abdulkarim El Khereiji, me të cilin kanë pasur edhe një takim.

“Gjatë takimit me Zëvendësministrin për Punë të Jashtme, El Khereiji, u bisedua për ngritjen e bashkëpunimit ekonomik, bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe kundër terrorizmit dhe për nisjen dhe finalizimin e marrëveshjeve në fushën e transportit, edukimit dhe sportit”, thuhet në njoftim.

Aty theksohet se duke vlerësuar lartë bashkëpunimin në mes të dy shteteve, zëvendësministri Ahmeti ka falënderuar Arabinë Saudite për përkrahjen dhe kontributin e vazhdueshëm për Kosovën.

Bëhet me dije se Ahmeti ka kërkuar që qytetarët e Republikës së Kosovës të kenë procedura më të lehta për hyrje në Arabinë Saudite.

Takimi është përmbyllur me nënshkrimin e Marrëveshjes për Heqjen Reciproke të Vizave për Bartësit e Pasaportave Diplomatike dhe Pasaportave Zyrtare.

Të ngjashme