Lajme
“Kori i LVV-së” mendon ndryshe nga BE e ShBA, i “qepojnë” Lajçakut e Borrellit
Demokracia
14:30 | 20 Shtator 2023

Share:

Miroslav Lajçak dje mori mbështetje të fuqishme nga Departamenti i Shtetit Amerikan dhe Bashkimi Evropian për rolin e tij në dialogun Kosovë-Serbi.

BE hodhi poshtë po ashtu pretendimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se Lajçak është bërë përfaqësues i kërkesave të Serbisë, shkruan Demokracia.com

Përkundër që Lajçak mori mbështetje nga vendet më të fuqishme të Evropës dhe ShBA, mbështetje që në të kaluarën e kishte edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, deputetë të saj tashmë janë duke e kritikuar si në ”kor”.

Kryetari i Parlamentit, Glauk Konjufca sot i doli në përkrahje Kurtit duke thënë se Lajçak ka marr anë kah Serbia.

Deputeti i njohur tashmë për postimet e tij dhe mendimet kontraverse, Dimal Basha, e quajti negociatorë të dobët Miroslav Lajçakun dhe Josep Borrellin dhe shtoi se ata po i kanë kërkesat e njëjta sikur Serbia.

“Lajçak e Borell po thonë, themeloje Asociacionin, e pastaj flasim! T’njejtën kërkesë e ka Vuçiqi”, tha në një postimet e tij të shumta Basha.

Tjetri deputet i LVV-së, Adnan Rrustemi, në ‘EuroNews Albania’, u shpreh sikurse Albin Kurti. Ai tha se Lajçak po sjell një agjendë personale dhe nga marrëveshja me 11 pika duket se për të më shumë ka rëndësi Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Një reagim tjetër i ‘fuqishëm’ erdhi edhe nga deputeti Mefail Bajqinovci, sipas të të cilit, Borrell e ka humbur moti rolin e ndërmjetësuesit dhe tani po merr anë nga Serbia.

Kritikë të njëjtë sikurse Albin Kurti pati edhe deputeti Armend Muja, i cili e akuzoi Lajçakun se po favorizon Serbinë.

Deputeti i Vetëvendosjes mbrojti në studion e debatit në A2 CNN qëndrimin e kryeministrit Albin Kurti në lidhje me akuzat e këtij të fundit ndaj ndërmjetësit europian në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Sipas tij në Kosovë është mbushur kupa nga përpjekjet e ndërmjetësit.

“Në Kosovë është mbushur kupa nga përpjekjet e ndërmjetësit, se vazhdimisht Kosovës i ofrohen udhërrëfyes, të themelojë asociacionin dhe pastaj të shohim dhe kjo ka degraduar nga ndërmjetësi i BE. As marrëveshja e 2013 nuk thoshte që Asociacioni ishte në qendër. Pse nuk zbatohet pika 14 e marrëveshjes? Prisja që në Kosovë të dilnin edhe nga e djathta jonë dhe të thoshin pse nuk është listuar neni 4?”, tha ai.

Shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari – Lila, po ashtu ka thënë se emisari special i dialogut Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak dhe shefi për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, kanë marrë anën e Serbisë në dialog.

Kusari – Lila tha se Borrelli e Lajçaku kanë marrë anën e Serbisë, duke u pozicionuar në mbrojtje të një propozimi të bërë nga pala serbe në tavolinën e dialogut.

“Me aq sa arritëm të kuptojmë në këto momente, kryeministrit i është prezantuar një dokument në gjuhen angleze dhe serbe dhe duket se ajo çfarë është prezantuar ose kërkuar nga Serbia është bërë pozicion i ndërmjetësit, që prezanton që ndërmjetësi nuk është më neutral, por rolin e mbështetësit të njërës anë”, tha Kusari – Lila në “Info Magazine” në Klan Kosova.

Kryeministri Albin Kurti gjatë ditës së hënë kritikoi ashpër në konferencë për media ndërmjetësin evropian, Miroslav Lajçak, duke thënë se tash është bërë përfaqësues i kërkesave të Serbisë dhe se nuk po i merr për bazë propozimet e Kosovës./Demokracia.com/

Të ngjashme