Lajme
Koordinohej me Milan Radojçiqin, por Kusari-Lila refuzon që VV-ja ta kërkojë mbështetjen e PDK-së
Demokracia
22:32 | 17 Janar 2024

Share:

Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari Lila, të cilës muaj më parë i dolën audioincizime me deputetë të Listës Serbe që vepronin me direktiva të kryekriminelit të veriut Milan Radjoçiq duke i koordinuar, tani po e përjashton nga bashkëpunimi partinë më të madhe opozitare.

Kusari-Lila duke shpalosur detaje nga agjenda e Qeverisë për sesionin pranveror të Kuvendit, ka thënë se besojnë në mbështetjen e dy partive opozitare për të votuar marrëveshjet ndërkombëtare.

Ajo në një intervistë në emisionin “Këndi i Debatit” ka thënë se në bazë të informacioneve, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e ka konfirmuar votimin e mëtejshëm të marrëveshjeve ndërkombëtare.

Ndërsa, Lidhja Demokratike, sipas saj, nuk ka dhënë një vendim të prerë kundër, por që mund të ketë kushtëzime.

“Janë dy grupe parlamentare që kanë votuar në fund të sesionit të kaluar, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca. Aleanca me aq sa kam kuptuar drejtë, ka konfirmuar votimin e mëtutjeshëm të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe ligjet e sigurisë, që është një qëndrim parimor i tyre në raport me një sektor në veçanti për të cilën ata deklarohen. Ndërsa, Lidhja Demokratike, gjegjësisht kryetari i Grupit Parlamnetar të Lidhjes Demokratike, pas mbledhjes së kryesisë deklaroi që ndoshta do të shohin ndërlidhjen apo kushtëzimin në një farë forme me çështjen e funksionimit apo mosfunksionimit të Komisionit Hetimor Parlamentar, por nuk e tha si qëndrim të prerë, andaj duhet t’i kthehemi sërish bisedimeve”, ka thënë ajo.

Por, ndryshe nga dy partitë e lartpërmendura opozitare, LVV as nuk ka tentuar të bisedojë me Partinë Demokratike të Kosovës, pasi siç është shprehur Kusari-Lila, diçka e tillë nuk ia vlen të bëhet.

Si arsye, ajo e ka cilësuar opozitarizmin e PDK-së si destruktiv.

“Me Partinë Demokratike, thënë të drejtën nuk kemi bërë përpjekje dhe nuk mendoj se ia vlen, për arsye se qasjen si e kanë në projektuar opozitarizmin ka kaluar në destruktivitet total”, është shprehur ajo.

Shefja e LVV-së, po ashtu, ka dhënë detaje lidhur me agjendën e Qeverisë për sesionin e ri pranveror.

“Sikur të kishim një takim të rregullt, nesër në agjendë do të ishin 31 pika, që disa janë të bartura nga sesioni i kaluar, disa ndërkohë që kanë kaluar procedurat dhe afatet e shqyrtimit si projektligje dhe kanë të bëjnë me azhurnimin e agjendës evropiane, gjegjësisht me rishikimin e disa ligjeve të reja. Por, gjithashtu, janë edhe disa marrëveshje ndërkombëtare që kanë mbetur dhe janë bartur prej sesionit të kaluar vjeshtor dhe disa të tjera që kanë ardhur e do të vijnë në vijim në Kuvendin e Kosovës”, ka shtuar ajo.

Nesër Kuvendi i Kosovës e nis punën për sesionin pranveror, me një seancë të jashtëzakonshme për çmimet e energjisë të thirrur nga opozita.

Të ngjashme