Lajme
Kontrabandë e lidhje me krimin, kush është Mentor Beqiri i përmendur si njeri i Veselenoviqit
Demokracia
21:52 | 16 Prill 2024

Share:

Përgjatë pasditës së sotme pati disa të shtëna me armë të zjarrit në Graçanicë. Në këtë konflikt ishin të përfshirë Amir Osmani, i biri i Ismet Osmanit të njohur si “Curri” dhe biznesmeni kontrovers Mentor Beqiri. Beqiri është njëri nga dy të ndaluarit nga Policia e Kosovës. Ai është një sipërmarrës shqiptar nga Mitrovica, i cili është përmendur shumë si një nga bashkëpunëtorët e Zvonko Veselinoviqit, kriminelit të dyshuar serb nga veriu. 

Ka shumë vite që flitet e shkruhet për të. Emrin e tij për opinionin e gjerë e bëri të ditur që në vitin 2011 gazeta amerikane The New York Times, përmes një hulumtimi: “Në Kosovë, kontrabanda nxit bashkëpunimin e pazakontë ndëretnik”.

Kjo gazetë amerikane shkruan që Mentor Beqiri ishte ana tjetër në Kosovë e operacioneve të kontrabandës të Zvonko Veselenoviqit, ky fundit tashmë i futur në listën e zezë të lëshuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Mentor Beqiri njihet si biznesmen problematik, i cili me rrjetin e bizneseve të tij operon kryesisht në veri të vendit. Ai është një biznesmen që jo rrallë herë është paraqitur para Gjyqit si i akuzuar.

Mentor Beqiri

Rrahje brutale, kontrabandë me naftë

Në vitin 2009 ishte akuzuar për kontrabandë me naftë, por çuditërisht, akuzat u rrëzuan në mungesë provash.

Hetuesit u kishin thënë gazetarëve amerikanë që Beqiri e Veslenoviqi bashkëpunonin në kontrabandë përmes rrjetit të pompave të benzinës që kishte Mentor Beqiri dhe se kur duhej të takoheshin, e bënin këtë nëpër enklava serbe.

Mentor Beqiri ishte përmendur edhe nga kryeinspektori i Punës nga regjioni i Mitrovicës së Veriut, Nexhat Fazliu. Ai gjobiti kompaninë e tij me 10 mijë për shkak të mostrajtimit të duhur të një punëtoreje të mitur. Inspektori i punës, Nexhat Fazliu, mori vendimin që të hetohej ky rast dhe krejt telashet, sipas tij, me Mentor Beqirin filluan aty.

Inati duket që nuk i kaloi Mentor Beqirit. Nexhat Fazliu përfundoi i sulmuar brutalisht. Edhe Prokuroria e Shtetit pati thënë që e sulmuan punëtorët e Mentor Beqirit me urdhër të Mentor Beqirit.

Ai tutje tregoi se pas sulmit brutal ndaj tij çka do të ndodhte me Mentor Beqirin dhe grupin e tij.

“Fillimisht është shqiptuar gjoba në shumën prej 10 mijë eurove ku dy javë pas pranimit të gjobës që ka shkuar me post. Mentor Beqiri, pronar i subjektit MAB SH.p.k i ka urdhëruar punëtorët e vet, të cilët më kanë ardhë në vendlindjen time në fshatin tim, persona të maskuar dhe më kanë sulmuar me shkopinj të bejsbollit dhe më kanë lënë për vdekje”, kishte deklaruar ai.

Prokuroria kishte akuzuar për vrasje të rëndë në tentativë Behar Halilin e Shpëtim Tahirin, derisa e përmend si pjesëmarrës në sulm edhe Mehmet Kurti, i cili do të vritej në një incident tjetër më vonë. Mentor Beqiri është akuzuar për shtyrje në vrasje të rëndë në tentativë.

Mentor Beqiri i akuzuar për shtyrje në vrasje të rëndë në tentativë kundër Fazliut, kishte dhënë një deklaratë për mediat në Kosovë gjatë vitit 2021.

“Unë nuk e kam urdhëruar sulmin ndaj Nexhat Fazliut dhe as kolegët e mi nuk e kanë sulmuar. Aktakuza nuk ka prova. Mendoj që deklarata e Fazliut është për ti bërë presion psikik Prokurorisë dhe Gjykatës”, kishte thënë ai.

Mentor Beqiri, që me kompaninë e tij MAB ndërton banesa edhe në Serbi, por edhe në Kosovë, ka pasur disa procese gjyqësore. Në vitin 2012 madje u ndalua edhe nga EULEX.

“Dimensionet e biznesit kriminal të udhëhequr nga Mentor Beqiri duket të jenë të mëdha. Prova e marrë nga regjistrimi dhe përgjimi i telekomunikimeve të tij ka zbuluar se Mentor Beqiri është gjithashtu i përfshirë në veprimtari lidhur me ndërtimin dhe shitjen e pronës së paluajtshme në emër të kompanisë ‘Project Energineering’, firmë kjo e paregjistruar… në Fushë-Kosovë dhe dy të tjera në pjesën jugore të Mitrovicës”, ka përshkruar prokurori veprimtarinë e tij. “Kjo veprimtari ka mundur të jetë kanal përmes të cilit janë pastruar përfitimet e ardhura nga shitja e karburantit të kontrabanduar”, kishte deklaruar prokurori i EULEX, Olivier Beauvallet.

Zvonko Vesellinoviq

Kompanitë dhe lidhja me serbët

Sipërmarrësi nga Mitrovica është i zgjeruar në disa fusha të biznesit në të gjithë Kosovën, përfshirë Mitrovicën.

“MAB” Sh.P.K., është kompania private të cilën ai e ka në bashkëpronësi me Arianit Beqirin, të afërmin e tij. Ka një bashkëpunëtor serb të Kosovës në këtë biznes. Emri i tij është Sërdan Virijeviq.

Por, Virijeviq nuk është bashkëpunëtori i parë serb i Kosovë, në operacionet e Beqirit.

Sipërmarrësi nga Mitrovica përmendet si një nga bashkëpunëtorët e Zvonko Vesellinoviqit, kriminelit të dyshuar serb nga veriu i Kosovës, i sanskionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të mërkurën.

Një dosje e EULEX-it që kishte hetuar grupin kriminal të Veselinoviqit, e implikon Mentor Beqirin në operimet ilegale me udhëheqësit e krimit të organizuar në veri.

Beqiri, sipas hetimeve të kryera nga EULEX-i, ishte përfshirë në kontrabandimin e karburanteve në veri të Kosovës. Këtë aktivitet ilegal e kishte realizuar me Veselinoviqin, thuhej në raportin hetues të EULEX-it.

Beqiri përshkruhet si “shqiptari i njohur nga Kosova” që kishte ndihmuar Veselinoviqin në kontrabandimin e 50 kamionëve me karburantë të cilët “dyshohet se është importuar nga rafineria në Pançevë (Serbi)”.

Aktivitetet ilegale në bashkëkryerje mes Veselinoviqit dhe Beqirit ishin realizuar në shkurt të vitit 2008, thuhet në raportin e hetuesve. Kontrabanda ishte identifikuar të ketë ndodhur përmes linjës hekurudhore mes Kosovës dhe Serbisë.

Të ngjashme