Lajme
Konfirmohet raportimi i Demokracia.com për ardhjen e ndihmëssekretares amerikane në Kosovë
Demokracia
13:54 | 14 Prill 2022

Share:

Mbrëmë Demokracia.com, ekskluzivisht raportoi se gjatë këtij muaji në Kosovë do të vijë për vizitë Ndihmëssekretarja për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Karen Donfried.

Këtë raportim të Demokracia.com e konfirmoi edhe presidentja Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj në Mitrovicë.

LEXO EDHE: 

Urgjenca e marrëveshjes me Serbinë| Ndihmës-Sekretarja amerikane vjen në Kosovë

Osmani ka thënë se këto vizita do të bëhen për qëllime të ndryshme, derisa ka thënë se në disa vizita do të jetë bashkë më kryeministrin Albin Kurti dhe në disa vizita të tjera do të jenë ndaras.

“Ne jemi duke punuar për disa vizita në SHBA, sepse do të bëhen për qëllime të ndryshme. Në disa vizita do të jemi bashkë, në disa do të jemi ndaras. Në momentin që do t’i kemi saktë të gjitha detajet e agjendës, patjetër që do t’iu informojmë. Ajo që është me rëndësi është që bashkëpunimi ynë me SHBA është intensive, është në baza ditore. Edhe me përfaqësuesin e SHBA-së në Kosovë ambasadorin Hovenier, edhe me departamentin e shtetit amerikan, edhe me Këshillin për Siguri Kombëtare që është përbrenda Shtëpisë së Bardhë dhe me zyrtarë të tjerë”, ka thënë Osmani.

Tutje, ajo duke konfirmuar raportimin e Demokracia.com ka thënë se edhe dy vizita të dy delegacioneve të rëndësishme amerikane që do të vijnë në Kosovë gjatë muajit prill.

“Kosova është i vetmi vend në rajon që presidenti i SHBA-së i është drejtuar me video-mesazh. Me një mesazh të jashtëzakonshëm, ku ka shprehur përkrahjen e plotë ndaj institucioneve të Kosovës, ka folur për krimet ndaj popullit të Kosovës dhe ndaj vuajtjeve që kemi kaluar, dhe ka treguar që SHBA do të mbesin partner i palëkundur i Kosovës, duke konfirmuar në letrën e tij të fundit se Kosova vazhdimisht po tregon lidership global për çështje të rëndësisë globale. Pastaj siç e dini kam pasur telefonatë me zv.preisdenten e SHBA-së, njëkohësisht është i vetmi vend në rajon që zv.pesidentja ka pasur një bisedë substanciale edhe që lidhet me raportet tona. Dhe kemi vizita të vazhdueshme, do të kemi dy delegacione të larta nga SHBA-të gjatë muajit prill”, ka thënë presidentja.

Demokracia.com merr vesh se Ndihmëssekretarja për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Karen Donfried në Kosovë lidhet me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Donfried edhe më herët kishte komentuar bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se takimi i liderëve duhet të ketë një agjendë me tema në funksion të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës së pavarur.

Karen Donfreid mori ketë pozitë gjatë shtatorit të vitit 2021, ndërsa kjo pritet që jetë vizita e saj e parë në Kosovë.

Donfreid ka qenë presidente e Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara, që nga Prilli i vitit 2014. /Demokracia.com/

Të ngjashme