Lajme
DOKUMENT | Konfirmohet raportimi i Demokracia.com: Shteti pa targa, detyrohet të lidh kontratë emergjente me procedurë favorizuese
Demokracia
20:52 | 28 Nëntor 2023

Share:

Procedurat e prokurimit në Kosovë për tenderët e mëdhenj dinë të marrin kohë për disa muaj, madje edhe me vite. Institucionet publike e dinë këtë. Ministria e Punëve të Brendshme, e cila udhëhiqet nga Xhelal Sveçla, nuk i ka realizuar më kohë procedurat tenderuese për furnizim me targa për automjetet e qytetarëve të Kosovës. Me ose pa qëllim, tenderi i vlerës së madhe ka ngecur në Organin Shqyrtues të Prokurimit, ndërsa MPB-ja është detyruar të procedojë me tender emergjent të negociuar, duke zhvilluar biseda vetëm më një kompani. Tenderi pritet të nënshkruhet në fillim të javës së ardhshme, shkruan Demokracia.com.

Tashmë shumica e qendrave komunale kanë mbetur pa targa. Ashtu siç ka raportuar Demokracia.com para pak ditëve, MPB-ja është detyruar që tenderin ta realizojë me negocim, me procedurë diskriminuese /favorizuese, pasi ka dhjetëra kompani të tjera që ofrojnë këso shërbimesh.

Kontrata pritet të lidhët më  “G.S.G” SH.P.K, në një vlerë prej 273 mijë euro. Në këtë shumë do të hyjnë: 38, 800 copë targa të zakonshme të automjeteve 520×110 mm, 100 copë targa për rimorkio të automjetit 340×200 mm, 300 copë targa për makina bujqësore traktor 340×200 mm, 800 copë targa për regjistrimin e motoçikletave 100×150 mm.

Siç ka parë Demokracia.com, “njoftimi për dhënie të kontratës” është bërë sot më 28 nëntor në ueb-faqen e KRPP-së dhe titullohet ‘‘Furnizim emergjent me targa për regjistrim të automjeteve’’.

Kontrata do të nënshkruhet më 5 dhjetor, ashtu siç është paraparë në njoftim, pasi nuk do të ketë ankesa nga asnjë kompani, meqë negociatat janë zhvilluar vetëm me një operator, shkruan Demokracia.com.

“Informatë/Vërejtje: Ky aktivitet i prokurimit do te anulohet / Kjo kontratë nuk do te nënshkruhet, ne qofte se para njoftimit për dhënie te kontratës marrim vendimin pozitiv nga OSHP për aktivitetin e njëjtë te prokurimit procedurë e hapur për furnizim me targa për regjistrim te automjeteve”, thuhet tek formulari i përshkrimit të çmimeve, dokument ky që është i ngarkuar tek ky proces i prokurimit.

Ditë më parë, Demokracia.com ka raportuar se Ministria e Punëve të Brendshme, e cila drejtohet nga Xhelal Sveçla, ka vendosur të luajë ‘ping-pong’ edhe më tenderin e hapur për furnizimin me traga, sikurse më atë paraprak për furnizimin me pasaporta.

Më 9 dhjetor të vitit të kaluar ishte hapur thirrja për “Furnizim me traga për regjimin e automjeteve”, për të cilin ishte vendosur një shumë prej 2.6 milionë eurosh. Që nga ajo kohë e deri më sot, kontrata nuk ka mundur të lidhet, ndonëse ministria ka rekomanduar për kontratë një kompani.

Nuk pritet të lidhet as këtyre ditëve, ngase tenderi ndodhet në Organin Shqyrtues të Prokurimit – OSHP për herën e dytën dhe akoma eksperti shqyrtues nuk e ka nxjerrë një raport për t’ia dërguar pastaj Bordit për shqyrtim. Deri sa të kryhet e gjithë kjo procedurë nga OSHP-ja dhe më pas varësisht prej rekomandimeve kundrejt ministrisë, vendi do të mbesë pa targa.

Demokracia.com ditë më parë ka kërkuar një përgjigje nga MPB-ja lidhur më atë sesi do t’ia bëjë që ta kryejë furnizimin me to, sepse problemi me tender nuk pritet të zgjidhet edhe disa javë, por ky institucion nuk ka dhënë përgjigje.

Në tenderin që është hapur në vitin e kaluar kanë garuar disa kompani.

Me këtë tender, MPB-ja planifikon të blejë mbi 320 mijë palë targa të ndryshme, ku mbi 280 mijë janë targa automjetesh, 3 mijë për institucionet qendrore, 500 për komunat, 600 për ambasadat, 200 për veturat e sistemit të drejtësisë, etj. Vetëm për FSK-në janë paraparë 500 targa.

Në fillim të këtij viti, ministria ka hapur ofertat dhe pas vlerësimit e ka anuluar në tërësi tenderin, duke konsideruar që nuk ka operatorë të përgjegjshëm. Më këtë vendim nuk janë pajtuar kompanitë, të cilat janë ankuar në OSHP. Ky institucion ka gjetur shkelje të ligjit nga ana e ministrisë kur ka vendosur që ta anulojë procedurën në tërësi, andaj ka urdhëruar që lëndën ta kthejë në rivlerësim.

Më 27 shtatorit të këtij viti, MPB-ja eliminoi të gjitha ofertat dhe ndryshe nga hera e parë, tash konsideroi që një ofertë i plotëson kushtet, anise ishte më e shtrenjtë se disa të tjera. Bëhet fjalë për konzorciumin “Ego Elsa” sh.p.k me partnerin maqedonas “Rade Koncar” nga Shkupi, me një ofertë prej mbi 2.3 milionë eurosh.

Bazuar në dokumentet e ngarkuara në OSHP, që i ka parë Demokracia.com, më vendimin  e ministrisë nuk janë pajtuar disa kompani garuese, andaj menjëherë kanë bërë kërkesë për rishqyrtim. Por, ministria ua ka refuzuar kërkesën dhe e ka lënë në fuqi vendimin e vet. Më pas ato për të dytën herë janë drejtuar në OSHP. Ky institucion e ka autorizuar ekspertin e vet për t’i shoshitur provat, por akoma nuk ka nxjerrë një raport.

Njëri prej ankueseve ka shkruar se me vendimin e tillë të AK (MPB-së) dëmtohet buxheti i Kosovës për më shumë se 200,000.00 euro dhe rrjedhimisht shkelet haptazi dhe me dashje kjo dispozitë ligjore.

Ai madje e ka akuzuar edhe shefin e prokurimit. Sipas ankuesit, UD i Zyrtarit Përgjegjës të Prokurimit në MPB, Agim Islami, “ka marrë vendim për dhënie të kontratës në kundërshtim flagrant të procedurave”.

Kjo, sipas ankuesit, është pasi që ai vetë, personalisht, ka vlerësuar tenderin “dhe duke nxjerr vendim arbitrar për të shpallur fitues një OE për të cilin është e faktuar se është i papërgjegjshëm dhe gjithashtu është me i shtrenjtë se oferta jonë për mbi 200,000.00 euro”.

“I njëjti (Agim Islami) de-facto ka shërbyer si anëtar i komisionit vlerësues dhe atë si “anëtar i vetëm”, duke injoruar rekomandimin e Komisionit Vlerësues ashtu që ka bërë vlerësim dhe ekzaminim të ofertave të Operatorëve Ekonomikë në kundërshtim me kompetencat që ka me Rregullore… dhe dispozitat e Ligjit për Prokurimin Publik”, thuhet në ankesë.

Ankuesi në këtë dokument publik denoncon njeriun kryesor, aktualisht, të tenderëve në MPB për vepër penale.

“Ky tejkalim i kompetencave nga ana e zyrtarit përgjegjës përbën vepër penale të Keqpërdorimit të Detyrës Zyrtare, sepse ka tejkaluar kompetencat e tij për qëllim të caktuar që t’i sjell përfitim të paligjshëm një operatori ekonomik, i cili është i papërgjegjshëm dhe në anën tjetër ka për qëllim të na dëmtoj neve si Operator Ekonomik të përgjegjshëm dhe buxhetin e Republikës së Kosovës për një shumë prej mbi 200,000.00 Euro”, thuhet në ankesë, përcjell Demokracia.com.

Në ankesën tjetër të kompanisë thuhet se me mospërzgjedhjen e tyre buxheti i shtetit do të dëmtohet afro 700 mijë euro.

“…Autoriteti Kontraktues (MPB) dhe me vendimin e Refuzimit të kërkesës për rishqyrtim, pasi si Ofertues kemi ofertuar me çmimin më të lirë dhe që kursehet buxheti i Kosovës në vlerë prej 673,953.53 Euro. Mos kursimi i vlerës financiare prej 673,953.53 Euro nga mos përzgjedhja e konsorciumit tonë si fitues të tenderit përveç që bënë shkelje ligjore të të gjitha dispozitave ligjore të potencuara me Ankesë të Ligjit të Prokurimit Publik, bënë edhe shkelje ligjore të Ligjit të Menaxhimit të Financave Publike”, thuhet në ankesë.

Në ankesën e tretë që po pret përgjigje nga OShP-ja, kompania tjetër në garë pretendon që MPB-ja ka shkelur së paku tetë nene të Ligjit të Prokurimit.

OSHP-ja nuk pritet të marrë vendim të paktën edhe disa javë, pasi që pas raportit të ekspertit të tyre duhet të mblidhet Bordi për ta shqyrtuar atë. Pas vendimit të Bordit, disa ditë për të nxjerrë një vendim do t’i duhet edhe ministrisë dhe nëse e njëjta procedon përsëri kundërligjshëm, tenderi mund të përfundojë përsëri në OSHP.

Siç shihet nga dokumenti i ngarkuar më lart, kompania më të cilën MPB pret të lidh tender me negocim, nuk ka qenë kompania më çmimin më të lirë. Nga 9 kompani garuese, ajo ka qenë e pesta në radhë, me çmim prej 2.114, 204.00 euro. /Demokracia.com/   

Të ngjashme