Lajme
S’ka targa RKS, ministria e Sveçlës luan “ping-pong” me tenderin për furnizim
Demokracia
17:14 | 09 Nëntor 2023

Share:

Stoku me traga të veturave RKS është në limit. Shumë shpejt qytetarët nuk do të mund t’i regjistrojnë veturat e tyre, sepse, siç mësohet, targa ka vetëm deri në fund të muajit, ndërkaq nuk do të ketë kompani që do ta bëjë furnizimin me to, shkruan Demokracia.com.

Ministria e Punëve të Brendshme, e cila drejtohet nga Xhelal Sveçla, ka vendosur të luajë ‘ping-pong’ edhe më tenderin për furnizimin me traga, sikurse më atë paraprak për furnizimin me pasaporta.

Veç edhe pak ditë e do të bëhet një vit që kur MBP-ja po tenton të lidh një kontratë për furnizim më targa.

Më 9 dhjetor të vitit të kaluar ishte hapur thirrja për këtë tender, për të cilin ishte vendosur një shumë prej 2.6 milionë eurosh. Që nga ajo kohë e deri më sot, kontrata nuk ka mundur të lidhet, ndonëse ministria ka rekomanduar për kontratë një kompani.

Nuk pritet të lidhet as këtyre ditëve, ngase tenderi ndodhet në Organin Shqyrtues të Prokurimit – OSHP për herën e dytën dhe akoma eksperti shqyrtues nuk e ka nxjerrë një raport për t’ia dërguar pastaj Bordit për shqyrtim. Deri sa të kryhet e gjithë kjo procedurë nga OSHP-ja dhe më pas varësisht prej rekomandimeve kundrejt ministrisë, vendi do të mbesë pa targa.

Demokracia.com ka mësuar se sasia e tyre është në limit, ku disa komuna kanë vetëm edhe për disa ditë dhe disa tjera deri në fund të muajt, varësisht prej kërkesave.

Demokracia.com ka kërkuar një përgjigje nga MPB-ja lidhur më atë sesi do t’ia bëjë që ta kryejë furnizimin me to, sepse problemi me tender nuk pritet të zgjidhet edhe disa javë, por ky institucion nuk ka dhënë përgjigje gjatë ditës së sotme.

Në tenderin që është hapur në vitin e kaluar kanë garuar disa kompani.

Me këtë tender, MPB-ja planifikon të blejë mbi 320 mijë palë targa të ndryshme, ku mbi 280 mijë janë targa automjetesh, 3 mijë për institucionet qendrore, 500 për komunat, 600 për ambasadat, 200 për veturat e sistemit të drejtësisë, etj. Vetëm për FSK-në janë paraparë 500 targa.

Në fillim të këtij viti, ministria ka hapur ofertat dhe pas vlerësimit e ka anuluar në tërësi tenderin, duke konsideruar që nuk ka operatorë të përgjegjshëm. Më këtë vendim nuk janë pajtuar kompanitë, të cilat janë ankuar në OSHP. Ky institucion ka gjetur shkelje të ligjit nga ana e ministrisë kur ka vendosur që ta anulojë procedurën në tërësi, andaj ka urdhëruar që lëndën ta kthejë në rivlerësim.

Më 27 shtatorit të këtij viti, MPB-ja eliminoi të gjitha ofertat dhe ndryshe nga hera e parë, tash konsideroi që një ofertë i plotëson kushtet, anise ishte më e shtrenjtë se disa të tjera. Bëhet fjalë për konzorciumin “Ego Elsa” sh.p.k me partnerin maqedonas “Rade Koncar” nga Shkupi, me një ofertë prej mbi 2.3 milionë eurosh.

Bazuar në dokumentet e ngarkuara në OSHP, që i ka parë Demokracia.com, më vendimin  e ministrisë nuk janë pajtuar disa kompani garuese, andaj menjëherë kanë bërë kërkesë për rishqyrtim. Por, ministria ua ka refuzuar kërkesën dhe e ka lënë në fuqi vendimin e vet. Më pas ato për të dytën herë janë drejtuar në OSHP. Ky institucion e ka autorizuar ekspertin e vet për t’i shoshitur provat, por akoma nuk ka nxjerrë një raport.

Njëri prej ankueseve ka shkruar se me vendimin e tillë të AK (MPB-së) dëmtohet buxheti i Kosovës për më shumë se 200,000.00 euro dhe rrjedhimisht shkelet haptazi dhe me dashje kjo dispozitë ligjore.

Ai madje e ka akuzuar edhe shefin e prokurimit. Sipas ankuesit, UD i Zyrtarit Përgjegjës të Prokurimit në MPB, Agim Islami, “ka marrë vendim për dhënie të kontratës në kundërshtim flagrant të procedurave”.

Kjo, sipas ankuesit, është pasi që ai vetë, personalisht, ka vlerësuar tenderin “dhe duke nxjerr vendim arbitrar për të shpallur fitues një OE për të cilin është e faktuar se është i papërgjegjshëm dhe gjithashtu është me i shtrenjtë se oferta jonë për mbi 200,000.00 euro”.

“I njëjti (Agim Islami) de-facto ka shërbyer si anëtar i komisionit vlerësues dhe atë si “anëtar i vetëm”, duke injoruar rekomandimin e Komisionit Vlerësues ashtu që ka bërë vlerësim dhe ekzaminim të ofertave të Operatorëve Ekonomikë në kundërshtim me kompetencat që ka me Rregullore… dhe dispozitat e Ligjit për Prokurimin Publik”, thuhet në ankesë.

Ankuesi në këtë dokument publik denoncon njeriun kryesor, aktualisht, të tenderëve në MPB për vepër penale.

“Ky tejkalim i kompetencave nga ana e zyrtarit përgjegjës përbën vepër penale të Keqpërdorimit të Detyrës Zyrtare, sepse ka tejkaluar kompetencat e tij për qëllim të caktuar që t’i sjell përfitim të paligjshëm një operatori ekonomik, i cili është i papërgjegjshëm dhe në anën tjetër ka për qëllim të na dëmtoj neve si Operator Ekonomik të përgjegjshëm dhe buxhetin e Republikës së Kosovës për një shumë prej mbi 200,000.00 Euro”, thuhet në ankesë, përcjell Demokracia.com.

Në ankesën tjetër të kompanisë thuhet se me mospërzgjedhjen e tyre buxheti i shtetit do të dëmtohet afro 700 mijë euro.

“…Autoriteti Kontraktues (MPB) dhe me vendimin e Refuzimit të kërkesës për rishqyrtim, pasi si Ofertues kemi ofertuar me çmimin më të lirë dhe që kursehet buxheti i Kosovës në vlerë prej 673,953.53 Euro. Mos kursimi i vlerës financiare prej 673,953.53 Euro nga mos përzgjedhja e konsorciumit tonë si fitues të tenderit përveç që bënë shkelje ligjore të të gjitha dispozitave ligjore të potencuara me Ankesë të Ligjit të Prokurimit Publik, bënë edhe shkelje ligjore të Ligjit të Menaxhimit të Financave Publike”, thuhet në ankesë.

Në ankesën e tretë që po pret përgjigje nga OShP-ja, kompania tjetër në garë pretendon që MPB-ja ka shkelur së paku tetë nene të Ligjit të Prokurimit.

OSHP-ja nuk pritet të marrë vendim të paktën edhe disa javë, pasi që pas raportit të ekspertit të tyre duhet të mblidhet Bordi për ta shqyrtuar atë. Pas vendimit të Bordit, disa ditë për të nxjerrë një vendim do t’i duhet edhe ministrisë dhe nëse e njëjta procedon përsëri kundërligjshëm, tenderi mund të përfundojë përsëri në OSHP, ku më pas ministria do të jetë e detyruar që të procedojë me tender të negociuar për furnizim me targa. Megjithatë, në gjithë këtë rrëmujë, qytetarët pashmangshëm do të mbesin pa targa për veturat e tyre. /Demokracia.com/

Të ngjashme