Lajme
Komunat e përgënjeshtrojnë ministrin Hekuran Murati për tatimin në pronë
Demokracia
15:01 | 24 Janar 2023

Share:

Qytetarët e Komunës së Prishtinës janë ankuar për rritje të çmimit të tatimit në pronë. Komuna ka thënë se rritja e tatimit është bërë për shkak të rivlerësimit të pronave nga Ministria e Financave, teksa kjo e fundit ka hequr përgjegjësinë nga vetja, duke thënë se shkallën e tatimit e përcaktojnë vetë komunat.

Sipas ankesave të qytetarëve që po qarkullojnë në rrjetet sociale, në vitin 2022 për tatimin në pronë në Prishtinë një qytetar ka paguar 119 euro, ndërsa në vitin 2023 do të paguajë mbi 523 euro.

Lidhur me këtë, Komuna e Prishtinës ka thënë se sipas Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, Ministria e Financave e udhëhequr nga ministri Hekuran Murati bën vlerësimin e pronave, vlerësim ky që rriti edhe tatimin në pronë.

Edhe Asociacioni përmes një njoftimi thotë se rritja e çmimit të faturës për tatim në pronë nuk vjen nga komunat.

Ndërsa, nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve është bërë e ditur se tatimi në pronë është tatim, i cili mblidhet nga komunat dhe përbën njërin nga burimet kryesore të të hyrave vetanake për to, shkruan Demokracia.com.

“MFPT, bazuar në Ligjin për Tatim në Pronë, obligohet që në baza të rregullta të bëjë vlerësimin e pronave të paluajtshme, ndërsa shkallën e tatimit e përcaktojnë vetë komunat”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Demokracia.com ka parë se sipas Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, Neni 13 pika 1 thotë se Ministria e Financave ka këto përgjegjësi:

2.1 Regjistron dhe menaxhon të dhënat e tatimit në pronë në regjistrat e tatimit në pronë, ashtu siç përcaktohet në aktin nënligjor që nxjerr Ministria e Financave në pajtim me paragrafin 5 të nenit 14 të këtij ligji;

2.2 Operon dhe mirëmban regjistrat e tatimit në pronë;

2.3 Publikon informacione lidhur me tatimin në pronë;

2.4 Kryen vlerësimin e pronës dhe lëshon certifikata të vlerës së vlerësuar;

2.5 Kryen vlerësimin tatimor;

Po ashtu, në Nenin 17, Autoriteti kompetent për zbatimin e procedurës së vlerësimit pika 1 thuhet se:

  1. Ministria e Financave përcakton zonat e vlerave, nivelet e vlerave dhe vlerën e vlerësuar të pronave të paluajtshme që janë brenda territorit të komunave. Vlerësimi i pronave të paluajtshme kryhet në përputhje me rregullat dhe procedurat e parashikuara në këtë Ligj dhe në aktin nënligjor që nxjerr Ministria e Financave për kategoritë e vlerave, metodat dhe modelet e vlerësimit.

Tutje në Nenin 18 Vlerësimi i pronës së paluajtshme thuhet:

  1. Ministria e Financave, nëpërmjet departamenteve përkatëse për tatim në pronë, kryen vlerësim të përgjithshëm një herë në çdo tri vjet ose një herë në çdo pesë vjet, bazuar mbi një skemë përsëritëse dhe procedurën e përcakton në aktin nënligjor që nxirret në përputhje me paragrafin 1 të nenit 17 të këtij Ligji.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe Asociacioni i Komunave.

Asociacioni përmes një njoftimi thotë se rritja e çmimit të faturës për tatim në pronë nuk vjen nga komunat.

“Ajo çka është varur nga Komunat nuk ka ndryshime, sepse ato mbeten të përkushtuara që të mos bëjnë ngritje në këtë kohë të vlerave të taksave për qytetarët, sidomos në këtë kohë të krizës ekonomike dhe rritjes së vazhdueshme të shumicës së artikujve”, thuhet në reagimin e AKK-së.

Sipas tyre, fatura e tatimit në pronë përmban dy elemente mbi bazën e të cilave përcaktohet shuma e kësaj pagese:

1. Vlera e pronës për metër katror (m/2) e cila përcaktohet nga Ministria e Financave dhe Transfereve (Departamenti i Tatimit në Pronë) dhe

2. Norma tatimore e cila përcaktohet nga Komunat.

Bazuar në dispozitat e Ligjit në fuqi për Tatimin në Pronën e Paluajtshme

“Autoriteti kompetent për zbatimin e procedurës së vlerësimit është Ministria e Financave e cila përcakton zonat e vlerave, nivelet e vlerave dhe vlerën e vlerësuar të pronave të paluajtshme që janë brenda territorit të komunave. Vlerësimi i pronave të paluajtshme kryhet në përputhje me rregullat dhe procedurat e parashikuara në këtë Ligj dhe në aktin nënligjor që nxjerr Ministria e Financave për kategoritë e vlerave, metodat dhe modelet e vlerësimit”. /Demokracia.com/ 

Të ngjashme