Lajme
FOTO/DOKUMENTE: Komuna e Alban Hysenit i “hëngri” centimetrat e gurëve të trotuarit në Uglar të Gjilanit
Demokracia
10:30 | 13 Nëntor 2023

Share:

Komuna e Gjilanit, e cila udhëhiqet nga kryetari Alban Hyseni, po ndërton projekte infrastrukturore jashtë standardeve të ndërtimit. Kjo është duke ndodhur edhe në një trotuar në fshatin Uglar, shkruan Demokracia.com.

Komuna e Gjilanit është duke e lejuar kontraktorin e saj që të vendosë gurë skajorë të trotuarit në kundërshtim më kontratën e nënshkruar.

Demokracia.com ka gjetur se skajorët, pos që po vendosen në kundërshtim me kushtet e kontratës, ata janë në kundërshtim dhe më normat e ndërtimit të rrugëve. Në vend që të vendosen gurë skajorë 24 centimetra, po vendosen të paramasës 20 centimetra dhe në disa raste të tjera në vend që të vendosën 21 centimetra, po vendosen 15-16 centimetra.

Bëhet fjalë për projektin “Ndërtimi i Trotuarit në fshatin Uglar (Ritender)”, për të cilin komuna ka lidhur kontratë para pak javëve më kompaninë “Gartten-Gj”, por që në konzorcium më të është edhe NNT ABC SH.P.K. Çmimi i kontratës është 135,909.27 euro, shkruan Demokracia.com.

Për t’i vërtetuar këto dysheme të vendosjes së produkteve në kundërshtim me kushtet e kontratës, Demokracia.com ka parë paramasen për ndërtimin e trotuarit të nënshkruar nga komuna dhe kompania “Gartten-Gj”, si dhe ka dalë në terren për të parë produktet që po vendosen aty.

Paramasa ka rreth 30 artikuj (pozicione), të cilët e kanë sasinë dhe çmimin.

P.sh. produktet kontestuese janë pozicioni 3.10 dhe 3.11.

Artikulli 3.10 ka të bëjë me “Furnizimi dhe vendosja e gurëve skajorë me dimensione b/h: 18 /24 cm dhe klasë të betonit C30/37 të vendosur në shtresat e betonit C20/25 (vendosja sipas detajeve të dhëna në projekt dhe në përputhje me standardet EN 1340). (Vërejtje: Tek degëzimet e rrugës dhe tek hyrjet në objekte të ulën skajoret, në mënyrë që të krijohen rambat)”. Bazuar në dokumentin e paramasës, për një këso guri skajorë, kompania ka vendosur një çmim prej 14 eurove. Aty janë paraparë të vendosen 1690, në një çmim total prej 23,660.00 euro. Bazuar në fotografitë e bëra, ky guri anësor është i paramasës 18 /20 cm.

Tek artikulli 3.11 “Furnizimi dhe vendosja e gurëve skajorë me dimensione b/h: 8 /20 cm dhe klasë të betonit C30/37 të vendosur në shtresat e betonit C20/25 (vendosja sipas detajeve të dhëna në projekt dhe në përputhje me standardet EN 1340). (Vërejtje: Tek degëzimet e rrugës dhe tek hyrjet në objekte të ulën skajoret, në mënyrë që të krijohen rambat)”. Bazuar në dokumentin e paramasës, për një këso guri skajorë, kompania ka vendosur një çmim prej 2.5 eurove, ndërsa sasia është 1690 copë, në total kushtojnë 4225 euro.

Edhe këtu janë duke u vendosur gurë të paramasës tjetër, jo deri në 20 cm, siç është kontrata, por 15 deri në 16 cm.

Edhe klasa e betonit nuk duket të jetë ajo që është paraparë, mirëpo më e ulet. Por, kjo do të mund të vërtetohej nga analizat laboratorike dhe do të shihej nëse do ta kalonin A-testin apo jo.

Më datë 7 nëntor, Demokracia.com ka drejtuar pyetje edhe në adresën e Komunës së Gjilanit për t’u informuar nëse janë në dijeni për ndërrimin e vendosjes së produkteve në këtë praktikë në kundërshtim më kushtet e kontratës, por deri në publikimin e këtij artikulli, komuna nuk ka dhënë përgjigje.

Ndërsa, e-maili i kompanisë punëkryese, e cila është e vendosur në rrjetin social Facebook të tyre, ka qenë e paqasshme.

Për këtë projekt, komuna e ka të angazhuar një menaxher të kontratës, si dhe Organin Mbikëqyrës për të kontrolluar mbarëvajtjen e punimeve.

Vetë kryetari Alban Hyseni më datën 16 tetor ka shpërndarë një video të këtij projekti, duke shkruar se “Për herë të parë, fshati Uglar po bëhet me trotuar, ndriçim dhe gjelbërim në gjatësi prej 1.5 km”. /Demokracia.com – Mentor Buzhala/

Të ngjashme